Arbëri

Jostabiliteti në menaxhimin e SHSKUK-së rrezikon furnizimin me material të dializës

Foto: Koha

Jostabiliteti në menaxhimin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar e ka prekur drejtpërsëdrejti Klinikën e Nefrologjisë, pacientët e së cilës, në mungesë të zgjidhjeje brenda ditësh, rrezikojnë që të mbesin pa hemodializë.

Në prillin e sivjetmë, Nefrologjia, si njësi kërkuese, i kishte adresuar shkresë ish-drejtorit Valbon Krasniqi, për inicimin e tenderit për material të hemodializës.

Tenderi nuk u hap deri në fundin e gushtit, nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës, Pranvera Zejnullahu-Raçi.

Përderisa procedurat për tenderin e rregullt janë ende duke vazhduar dhe lënda ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, rezervat në QKUK për qytetarët që kanë nevojë për hemodializë kanë rënë në zero.

Qendrës Klinike Universitare në ndihmë i ka dalë Spitali i Pejës, porse KOHA ka mësuar se edhe në këtë institucion rezervat janë drejt fundit.

Një shkresë e brendshme, e siguruar nga KOHA, dëshmon se disa nga produktet e domosdoshme për kryerjen e hemodializës nuk gjenden fare në QKUK.

“Në vazhdim po ju dërgoj stokun e materialit të dializës , si dhe një përllogaritje të përafërt se sa mund të mjaftojë kjo sasi: Bikarbonat 0 (po furnizohemi në baza ditore nga Spitali i Pejës), Acetatet 0 (po furnizohemi në baza ditore nga Spitali i Pejës), A-V linja 1290 copë, sasia mjafton për 9 ditë, Diasef B Braun – 6 copë, mjaftojnë për një javë, Diasef Fresenius 5 copa -mjaftojnë për një javë”, thuhet në shkresë.

Shkresa është përpiluar nga zyrtarët e Klinikës së Nefrologjisë dhe i është dërguar menaxhmentit mëngjesin e së enjtes. Por shkresa të këtilla ka pasur edhe më 19 dhe 25 tetor.

SHSKUK-ja ka hapur tender emergjent për çështjen të enjten. Kjo është

konfirmuar nga ky institucion, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

“Me ardhjen e menaxhmentit të ri të ShSKUK-së është proceduar kërkesa e rregullt me afate të shkurtuara, e bërë nga njësitë e ShSKUK-së, përmes Barnatores Qendrore e që për 5 muaj ishte neglizhuar dhe nuk ishte proceduar në formë të rregullt. Kanë përfunduar të gjitha procedurat e prokurimit dhe është shpallur fituesi i tenderit për furnizim me material për dializë, por ka pasur një ankesë nga një operator ekonomik dhe lënda është në procedurë të ankimimit. Për të mos mbetur pacientët pa materialin e nevojshëm, është iniciuar edhe procedura emergjente për furnizim me material dhe pacientët nuk do të mbesin asnjë moment pa furnizim me materialin e nevojshëm”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Ndonëse KOHA ka pasur qasje në shumë shkresa të klinikës që e faktojnë mungesën e produkteve të shumta të dializës, në një përgjigje nga SHSKUK-ja është mohuar një gjë e tillë.

“Aktualisht Shërbimi i Dializës në QKUK dhe në të gjitha spitalet e përgjithshme është i mbuluar me materialin e nevojshëm”, thuhet tutje në përgjigje.

Nga ky institucion nuk janë ofruar përgjigjur mbi arsyet e mosinicimit të tenderit emergjent para së enjtes.

Ani se kontratat për tenderë emergjentë, sipas Ligjit të Prokurimit Publik, mund të lidhen edhe brenda 24 orësh, kompania mund të shkaktojë vonesa në furnizim po qe se malli nuk është në stok.

Dializa është një lloj i mekanizmit artificial që e mundëson heqjen nga qarkullimi të lëngjeve të tepërta dhe substancave toksike, të tretura në gjak. Aplikohet te personat që vuajnë nga sëmundje kronike të veshkave, kur ato nuk mund ta kryejnë funksionin e tyre. Pacientët që i nënshtrohen dializës detyrohen ta bëjnë trajtimin çdo 24, 48 ose 72 orë, varësisht nga indikacionet.