Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zbuluar se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ia ka dorëzuar dorëheqjen menjëherë pas vrasjes së të riut, 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga Policia të martën mbrëma.
Vrasja e Rashës, që ishte qëlluar pasi kishte shkelur orën policore, ka nxitur protesta në Shqipëri. Ndërsa në protestat e djeshme u lënduan së paku dhjetë persona.
Rama ka treguar se në kohën kur Lleshaj ka dorëzuar dorëheqjen ka qenë në New York dhe i ka kërkuar që të presë të kthehet e më pas do të diskutohet.
Ai ka treguar se ka folur me Lleshajn sot, dhe insiston se ai nuk ka fare lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
“Lleshaj më vuri në dispozicion dorëheqjen e tij menjëherë pas ngjarjes. I thash të më presë të kthehem. Jemi takuar edhe sot dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjësisë qytetare të Sandër Lleshajt. Por në këtë vend nuk janë të gjithë njësoj. Ai nuk ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të vrasjes së një djali 25-vjeçar”, u shpreh Rama.
Edhe
Policia në Shqipëri paralajmëron kundër mbajtjes së protestave
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, ka thënë se vendimi i tij për të dhënë dorëheqje nga posti vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e fëmijët e familjes së të ndjerit Klodian Rasha, por edhe si shprehje mirënjohje e respekti për ata që i besuan, e mbështetën, inkurajuan.
“Edhe pse, që nga dita e parë e marrjes së detyrës, më është dashur të përballoj një seri aktesh të dhunës histerike apo të angazhohem për policë të plagosur në detyrë nga verbëria e dhunës antishtet, asnjëherë nuk u ngjita gjatë protestave tek snajperët në tarracën e Kryeministrisë, siç bënin pa turp autorët e 21 janarit, asnjëherë nuk lejova përdorimin e armëve në protestat politike, asnjëherë nuk mora në mbrojte ndonjë polic apo person tjetër që shkeli ligjin dhe asnjëherë nuk u kërkova të tjerëve ndonjë standard që nuk e zbatoja vetë. Janë këto arsye që më kanë bindur se tani është momenti për të mbyllur një kapitull angazhimi në krye të Ministrisë së Brendshme, me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit të vitit 2011. Edhe sot jam përballë dilemës së fillimit, por në një kuptim tjetër. Nëse në fillim e pranova këtë post për të mos treguar dobësi, sot, në rrethanat e krijuara, dobësi do të ishte ngulmimi për të qëndruar. Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e femijët e familjes së Klodian Rashës, por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që jane fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë. Ky akt vjen edhe si shenjë falënderimi për Kryeministrin Edi Rama, i cili besoi tek unë, duke ruajtur përherë një marrëdhënie në radhë të parë shumë njerëzore, pastaj edhe gjithnjë intelektualisht sfiduese dhe profesionalisht krejt të ndershme. Dhe se fundi, por jo nga rëndësia, kjo është edhe shprehje dashurie, pse jo edhe një urim për Krishtlindjet, ndaj familjes time, asaj shumë të madhes, të madhes dhe të voglës, për të cilët mungova pothuajse krejtësisht për më shumë se dy vjet dhe që, megjithatë, vijuan të më duan e të më mbështesin si gjithmonë fort dhe pa kushte”, ka shkruar ndër të tjera Lleshaj.
Protestat po vazhdojnë edhe sonte. Policia ka hedhur gazlotsjellës, ndërsa protestuesit kanë hedhur gurë.
Sipas Ramës, drejtësia ka barrën e fjalës së fundit, ndërsa vrasjen e konsideron të pabesueshme.
“Jeta e humbur nga akti fatal i efektivit të policisë. Sapo kam shkuar në Tiranë kam shkuar te familja e Klodianit. Asnjë lule të mos preket në Tiranë. Ne duam drejtësi jo luftë politike, më tha babai i tij. Fjalët në këtë rast janë krejt të pafuqishme përballë dhimbjes që kanë familjarët. Efektivi i policisë ka vrarë një njeri në mënyrë krejt të pabesueshme. Pavarësisht se vrasja e njeriut është kryer nga një njeri tjetër, arma ishte e shtetit, prandaj përgjegjësia i takon shtetit. Drejtësia ka barrën e fjalës së fundit për shkallën e fajësisë së autorit përpara ligjit. Drejtësisë i duhet koha e saj. Është e domosdoshme të mos humbasin kthjelltësinë. Më lejoni ta ribëj reflektimin tim me zë të lartë që kurse mora lajmin. A është kjo ngjarje krejt e shkëputur nga polica e shtetit”, tha Rama.
Edhe
Protesta në Shqipëri pas vrasjes së një 25-vjeçari nga Policia
Protestuesit thyejnë xhamat e selisë së Partisë Socialiste në Shqipëri
Protestuesit kanë thyer xhamat e selisë së Partisë Socialiste në Tiranë.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka kritikuar duke thënë se derisa Sali Berisha ta drejtojë Partinë Demokratike (PD), kjo parti do ta ketë vizion rrëmujën.
“Sa kohë Sali Berisha të drejtojë PD, kjo parti do të ketë vizion rrëmujën, program vandalizmin dhe ekip katrahurën”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Balla publikoi foto nga selia e Partisë Socialiste, ku duken xhamat e thyera nga protestuesit, raporton ATSh.
Edhe
Çuçi zëvendëson Lleshajn si ministër i Brendshëm
“Lulëzim Basha ku je futur? Dil dhe distancohu nga dhuna apo s’e bën dot, s’ke faj! Sepse je ti pjesë e organizimit të dhunës bashke me Monikën e me Ilirin, teksa dërguat FRPD tënde dhe ca nga ata të tiganit të Jalës të godisnin me gurë selinë e Partisë Socialiste”, tha Balla.
Protestat në Shqipëri kanë filluar pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha të martën mbrëma nga një zyrtar policor. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka dhënë dorëheqje nga posti.
