(Përditësuar: 16:37) - Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka njoftuar se ish-deputeti Gramos Agusholli, është liruar nga autoritetet serbe, pasi ishte ndaluar në pikën kufitare në Merdar.
MPJD-ja ka thënë se ai ka vazhduar rrugën e tij drejt destinacionit për në Slloveni.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Gramos Agusholli, i cili ishte ndaluar sot në pikën kufitare në Merdarë nga autoritetet serbe, është liruar dhe ka vazhduar rrugën e tij drejt destinacionit në Slloveni”, thuhet në njoftimin e Ministrisë në Facebook.
Ministria ka shtuar se do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje secilën situatë që cenon të drejtat e qytetarëve, derisa i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë nfaj Serbisë “për ndalimin e praktikave të tilla represive”.
“MPJD do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje çdo situatë që cenon të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, ndalohet nga autoritetet serbe në Merdar
Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se sot paradite është njoftuar për ndalimin e ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gramos Agusholli, nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdar, ndërsa ishte në tranzit drejt Sllovenisë.
Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi, thuhet se ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të QUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Beograd.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të QUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin”, thuhet në njoftim.
MPJD-ja e ka dënuar fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm Agushollit dhe “ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këtë rast. Çdo informacion i ri do të shpërndahet menjëherë pas konfirmimit zyrtar”, thuhet në njoftim.
Agushilli ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.