Ish-deputeti Gramos Agusholli ka deklaruar se për katër orë është marrë në pyetje nga autoritetet serbe pas ndalimit në pikën kufitare të Merdarit.
Ai tregoi të hënën se ndalesa ishte e paqartë, derisa shtoi se u pyet për aktivitetin e tij politik dhe për pjesëtarët e tij të familjes dhe angazhimin e tyre në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.
“Ka qenë ndalesë e papritur, pa asnjë arsye të qartë dhe duhet të përballesh me kësi presione të panevojshme. Rreth orës 09:00 u ndalova nga Policia. Na lanë fillimisht të presim tri orë, e pastaj erdhën zyrtarët e shërbimit shtetëror dhe më morën në ato zyrat. Nisi ajo marrja në pyetje për gati katër orë të tëra, pa ndalë. Tema kryesore ka qenë angazhimi politik dhe të qenit pjesëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Nisën me pyetje rreth angazhimit të pjesëtarëve të familjes sime në UÇK gjatë luftës së fundit”, ka deklaruar Agusholli për RTK-në.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka shtuar se më pas e kanë liruar dhe tash gjithçka është në rregull.