Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Inspektorati mbyll katër bastore sportive

Inspektorati i Komunës së Ferizajt në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka nisur një aksion i cili ka rezultuar me mbylljen e katër bastoreve sportive në qendër të Ferizajt, të cilat kanë funksionuar në mënyrë të jashtëligjshme derisa një veprimtari e tillë është ndaluar edhe me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas zyrtarëve komunalë në Ferizaj është rritur mjaft shumë niveli i sigurisë dhe eliminimi i mundësive për zhvillimin e veprimtarive të kundërligjshme, shkruan sot Koha Ditore.

Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit të Komunës, ka thënë se tashmë është mjaft i përhapur fenomeni i kamuflimit, maskimit të lokaleve në të cilat po operojnë biznese të tilla. “Të gjitha këto biznese të lojërave të fatit janë vazhdimisht nën vëzhgimin e Inspektoratit të Komunës dhe Policisë së Kosovës, andaj do t’i mbyllim dhe do t’i gjobisim pronarët e tyre, sepse tashmë këto veprimtari janë të ndaluara edhe me vendimin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Berisha.

Ndërkohë edhe Zyra për informim e Komunës së Ferizajt ka njoftuar rreth këtij aksioni të zhvilluar nga Inspektorati dhe Policia e Kosovës.

“Kundërligjshmëria nuk zë vend më në territorin e Ferizajt. Kjo falë përkushtimit të jashtëzakonshëm të Inspektoratit të Komunës me aksionet e të cilëve çdo ditë është duke u rritur niveli i sigurisë dhe eliminimit të mundësive për zhvillimin e veprimtarive të kundërligjshme. I tillë ishte edhe aksioni i dy ditëve të fundit në të cilin Inspektorati i Komunës, asistuar edhe nga Policia e Kosovës, arriti të mbyllë 4 bastore në zonën e qendrës të cilat po operonin ilegalisht në kundërshtim me vendimin e nivelit qendror për ndalimin e lojërave të fatit, si dhe ligjit për këtë çështje”, thuhet në njoftim. Inspektorët e tregut pas verifikimit tërësor për zbatimin e rregullativës ligjore në fuqi, konkluduan me mbylljen e këtyre lokaleve të cilat operonin në shkelje të plotë, krejtësisht fshehtas dhe kamufluar.

“Mbyllja e bastoreve dhe kazinove në territorin e Ferizajt tashmë është një aksion i nisur shumë muaj më parë, që ka nisur furishëm në qytetin tonë dhe po vazhdon si i tillë me intensitet më të lartë veprimi nga Inspektorati i Komunës”, thuhet më tej në njoftim.

Artikuj të ngjashëm