Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) iu ka bërë thirrje qytetarëve dhe individëve nga organizata të ndryshme që të ndalin presionet mbi këtë institucion dhe të mos pengojnë punën e tij.
IKSHPK përmes një komunikate për media thotë se e kuptojnë shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore, por nuk mund t’i nënshtrohet diktatit të secilit që vet-vlerëson se duhet të testohet.
Ky institut thotë se një përgjegjësi e tillë i takon IKSHPK, e cila bën hulumtimin e kontaktimin e të gjitha rasteve të dyshimta me COVID-19, mbikëqyrjen e personave të karantinuar; grumbullimin-përpunimin dhe analizën-interpretimin e të dhënave si dhe komunikimin me popullatën me rekomandime e këshilla.
“Fatkeqësisht, individë të ndryshëm, dukë përdorur edhe median dhe ndjeshmërinë e situatës, bëjnë presion mbi epidemiologët, të cilëve u ka rënë barra kryesore e kontaktit me pacientët e infektuar, të gjitha kontaktet e tyre, dhe gjatë punës së tyre, këto ekipe ndeshen me sjellje të vrazhda si dhe marrin edhe fyerje nga personat e tillë”, thuhet në njoftim.
IKSHPK-ja tutje kërkon nga personat të cilët janë kontakte të kontakteve që të kenë mirëkuptim gjatë punës me ekipet e IKSHPK-së dhe ta kuptojnë faktin se jo të gjithë mund të testohen në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën ditë.
Edhe
IKSHPK-ja rekomandon MSh-në të mbyllë të gjitha institucionet ku ka raste me COVID-19
“IKSHPK kërkon më shumë kujdes dhe mirësjellje nga të tjerët që në mënyrë të padrejtë dhe nga karantinat e ndryshme shigjetojnë profesionistët shëndetësor dhe institucionit duke adresuar kritika të paargumentuara dhe duke njollosur punën e IKSHPK-së. IKSHPK do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në zbatimin e Planit të Veprimit të Planit të Gatishmërisë dhe Reagimit kundër koronavirusit Covid-19, dhe të ruaj shëndetin publik të popullatës”, thuhet në njoftim.
Nga data 8 shkurt deri më 26 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 6.479 raste të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 763 raste.