Tri organizata joqeveritare e kanë cilësuar tendencë për bllokimin e reformës në sistemin prokurorial veprimin e pesë anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës në mbledhjen e së hënës kur vendosi për ta refuzuar raportin e komisionit për zgjedhjen e një anëtareje të re.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO) kanë thënë se veprimet e pesë anëtarëve të KPK-së që morën këto vendime ishin të kundërligjshme dhe abuzuese.
Sipas tyre, këta anëtarë “përmes vendimeve të kundërligjshme, në ditët e fundit të mandatit të tyre, synojnë haptazi sabotimin e reformës në KPK”.
“Përmes këtyre veprimeve, ky grup i anëtarëve të KPK synon të mbajë shumicën në KPK edhe pas reduktimit të përbërjes së KPK”, thuhet në reagim.
Më 20 nëntor, me pesë anëtarë të KPK-së 11-anëtarëshe, u vendos për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Në vend të tij u caktua Agron Qalaj. Sipas organizatave, ky vendim ishte i kundërligjshëm për shkak të mungesës së kuorumit. E Qalaj, të hënën mori pjesë në takim, “duke ua bërë kuorumin e nevojshëm një pjese të anëtarëve të KPK, shumica prej të cilëve kanë mandat vetëm deri në janar 2026, ashtu që të mundësohet vazhdimi i vendimeve të kundërligjshme”.
Pesë anëtarët që e zgjodhën Qalajn më 20 nëntor votuan të hënën edhe kundër raportit të zgjedhjes së një anëtareje të KPK-së, ku më e votuara doli Elza Bajrami-Kastrati. Anëtarët e pranishëm thanë se procesi i votimit nuk ishte i rregullt, e disa prej tyre e kritikuan edhe rregulloren e miratuar nga vetë KPK-ja.
“Më këtë qasje të kundërligjshme, KPK synon që të përmbysë vullnetin e 74 prokurorëve, të cilët votuan për përfaqësuesin e tyre në KPK. Kjo përkundër se janë shtjerrur të gjitha procedurat administrative për konstatimin e shkeljeve në këtë proces”, u tha në reagimin e organizatave. “Neni 12.1. i Rregullores Nr.05/2025 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorëve të KPK i jep mundësi kundërkandidatëve që në rast të pretendimit për shkelje procedurale, të parashtrojnë ankesë në KPK brenda 72 orëve. Kandidatja në këtë proces, e cila nuk morri numrin e votave të mjaftueshme për tu përzgjedhur në pozitën e anëtares së KPK, ushtroj këtë të drejtë dhe paraqiti ankesë në KPK. KPK refuzoi këtë ankesë me datën 13 nentor 2025. Sipas paragrafit 3 të këtij neni, “Pas shqyrtimit të ankesave, Këshilli brenda shtatë (7) ditëve shpall dhe certifikon rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor””.
Sipas reagimit, KPK-ja me këtë rast ka tentuar ta komprometojë procesin e zhvilluar.
“Të gjitha këto veprime të kundërligjshme janë duke u marrë nga një pjesë e anëtarëve të KPK, shumicës prej të cilëve u kalon mandati në janar 2026, kur pritet të jetësohet reforma në KPK”, thuhet më tej aty.
IKD-ja, FOL dhe INPO i kanë bërë thirrje gjykatës që sa më parë të pezullojë vendimin për shkarkimin e Kelmendit.
“Nëse kjo nuk ndodhë, ka një rrezik real për vazhdimin e nxjerrjes së vendimeve të kundërligjshme, shkeljen e vullnetit të Prokurorëve për përzgjedhjen e përfaqësueses së tyre në KPK dhe sabotimin e reformës në KPK nga një pjesë e anëtarëve të KPK, shumica prej të cilëve e përfundojnë mandatin në muajin e ardhshëm”, thuhet në reagim.
Çka ndodhi dje në mbledhjen e KPK-së:
Gashi për funksionimin e KPK-së: Pesë minus pesë bëjnë zero
Katër anëtarët e Këshillit Prokurorial janë larguar nga mbledhja, pasi kundërshtuan mbajtjen e saj me praninë e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit, që u zgjodh me pesë vota nga 10 të mundshme. Me gjysmën e votave të anëtarëve, KPK-ja të hënën mori vendim për ta refuzuar raportin e komisionit për zgjedhjen e një anëtareje të re
Katër anëtarë të Këshillit Prokurorial janë larguar nga mbledhja ku mori pjesë edhe Agron Qalaj, që para dy javësh u zgjodh ushtrues detyre i kryeprokurorit me pesë nga 10 votat e anëtarëve të KPK-së duke e zëvendësuar Besim Kelmendin.
Anëtarët që kundërshtuan shkarkimin e Kelmendit, duke mos marrë pjesë në votimin e 20 nëntorit, thanë se ai ka bërë ankesë në Supreme, dhe sipas tyre nuk është e ligjshme që Qalaj të jetë pjesë e mbledhjes. Anëtari Arian Gashi theksoi se Kelmendi u shkarkua me pesë vota, që e kanë efektin juridik zero.
“Pesë ishin që e lëshuan takimin herën e kaluar. Në matematikë, kërkoj falje ne jemi juristë e nuk e dimë shumë mirë matematikën, por pesë minus pesë bëjnë zero. Zero bëjnë dhe zeroja nuk ka asnjë efekt... Deri në një vendim të tillë të gjykatës, unë kërkoj që ky këshill ta bëjë punën pa z. Qalaj”, tha Gashi.
Ndërsa anëtari tjetër, Dardan Vuniqi, theksoi se ankesa në Gjykatën Supreme e pezullon vendimin për shkarkimin e Kelmendit.
“Unë studentët e mi qe 10 vjet i rrëzoj nëse nuk e sqarojnë efektin suspensiv të ankesës. I rrëzoj prej provimit nëse studenti nuk ma thotë ‘e shtyn ekzekutimin e vendimit’. E unë sot personalisht para tyre të rri e të qëndroj kur një vendim është atakuar me një ankesë dhe efekti suspesiv edhe me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative në të cilin jeni thirrur në vendimin paraprak e edhe në Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve është jashtëzakonisht i qartë. Nuk po flasim për individin, po flasim për aktin”, tha Vuniqi.
Qalaj qëndroi në mbledhje duke e çuar në gjashtë numrin e anëtarëve të KPK-së, nga 10 sa i ka gjithsej, por nuk votoi për asnjë vendim. Si arsye për këtë përmendi padinë e Kelmendit në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe në Supreme.
“E respektoj plotësisht të drejtën e tij për të ndjekur mjetet juridike dhe njëkohësisht do të zbatoj pa asnjë vendim të gjykatës, pavarësisht përmbajtjes së tij. Në këtë rrethanë për të ruajtur pavarësinë institucionale në këtë mbledhje do të marr pjesë vetëm në cilësinë ex officio (në bazë të detyrës zyrtare v.j) të Këshillit në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për këtë arsye nuk do të përfshihem në diskutime dhe as në procesin e vendimmarrjes mbi çështjet që paraqiten sot për diskutim dhe për votim duke mbajtur qëndrim neutral deri në përfundimin e procesit gjyqësor”, tha Qalaj.
E anëtarët që e zgjodhën Qalajn thanë se ideja për largimin e tij nga mbledhja paraqet logjikë të kushtëzimit të padrejtë. Zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli i fajësoi katër anëtarët që u larguan nga mbledhja për sabotazh.
“Qe dy herë dështon raporti zgjedhor për anëtarin e Këshillit që aq shumë e keni lavdëruar dhe që nuk po arrijmë – ta dijë opinioni publik që për shkak se katër anëtarë të Këshillit Prokurorial kanë vendosur që çdo takim ta lëshojnë mbledhjen, ky raport nuk mund të vendoset dhe nuk mund të marrim vendim për shkak se katër anëtarë kanë vendosur ta sabotojnë ose ta pengojnë punën e Këshillit”, tha Grantolli.
Pesë anëtarët që e zgjodhën Qalajn më 20 nëntor votuan të hënën edhe kundër raportit të zgjedhjes së një anëtareje të KPK-së, ku më e votuara doli Elza Bajrami-Kastrati.
Anëtarët e pranishëm thanë se procesi i votimit nuk ishte i rregullt, e disa prej tyre e kritikuan edhe rregulloren e miratuar nga vetë KPK-ja.
Kryesuesi Ardian Hajdaraj e fajësoi anëtarin Arian Gashi, që e udhëhoqi komisionin zgjedhor, se e favorizoi njërën nga kandidatet.
“Një mesazh që ia ka dërguar një prokuror kryeprokurorit dhe po jua lexoj tekstualisht: Përshëndetje kryeprokurore, hiç mos t’vjen keq. Unë ju jap arsyetimin dhe ta dërgoj ditën e hënë, sepse kryeprokurorja e ka kërkuar sqarimin se pse nuk ka ardhë me votu. Thotë: do të vij ditën e hënë, kur të vij në Pejë e sheh sa herë më ka thirrë e më ka shkru për me e votu kandidaten e tij, veç deshta me ia përkujtu Arianit se me votu është e drejtë ligjore dhe assesi nuk është obligim. Me logjikën e tij, qytetarët që nuk marrin pjesë në zgjedhje duhet me dënue. Ky është mesazhi që e ka konfirmuar edhe eprori i këtij prokurori”.
Gashi i quajti këto akuza shpifje. Tha se për këto nuk kanë asnjë dëshmi.
“Nëse ka një provë prezantojeni pranë këtij këshilli, pranë organeve dhe gjithçka që keni raportojeni tek organet kompetente. Mos shpifni këtu publikisht, nuk është vendi këtu për të shpifur publikisht”, deklaroi ai.
Gashi paraprakisht tha se anëtarët nuk duhet fare ta votojnë raportin, pasi, sipas tij, certifikimi i Elza Bajrami-Kastratit bëhet vetvetiu, meqë ankesa e kandidates Merita Kurtishi-Gaka është refuzuar në Këshill.
Në prag të shkarkimit të tij, Besim Kelmendi pati deklaruar se esenca e këtij veprimi është të ndryshohet balanca e votave në Këshill, meqë në janar hyn në fuqi Ligji i ri për Këshillin Prokurorial që redukton numrin e anëtarëve. Këtë e ka mohuar si kryesuesi Hajdaraj, ashtu edhe kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, për të cilin Kelmendi tha se do që me çdo kusht të bëhet u.d kryeprokuror.
Besim Kelmendi e ka sfiduar në gjykatë vendimin e nxjerrë me pesë vota pro për shkarkimin e tij nga pozita e kryeprokurorit të Shtetit. Ai ka propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë - pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe vazhdimin e ushtrimit të pozitës deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative. Në ankesën e dorëzuar në Themeloren në Prishtinë, Kelmendi pretendoi se akti i shkarkimit, të cilin e ka nxjerrë KPK-ja, përbën llojin më të rëndë të shkeljes së të drejtës administrative. Ai u shkarkua më 20 nëntor, një ditë pasi u mor në pyetje në cilësi të dëshmitarit për rastin e masakrës së Reçakut në Prokurorinë Speciale. Anëtarja e KPK-së, Jehona Grantolli, e ka propozuar shkarkimin e Kelmendit, pas raportimeve në një media lokale se ai ka bashkëpunuar gjatë vitit 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën gjyqtarja e ka konsideruar ngjarje të trilluar. Këtë e ka mohuar si kryesuesi Hajdaraj ashtu edhe kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, për të cilin Kelmendi tha se do që me çdo kusht të bëhet u.d kryeprokuror. Kelmendi e ka mohuar bashkëpunimin në atë rast, ndërsa vendimin për shkarkimin e tij e ka konsideruar të paligjshëm, duke thënë se është marrë në mungesë kuorumi, prandaj do ta vazhdojë punën në këtë institucion. Në linjë me qëndrimin e tij kanë qenë edhe disa anëtarë të KPK-së, në mesin e tyre Visar Krasniqi, sipas të cilit çdo vendim i marrë në mungesë kuorumi “është inekzistent” dhe që propozimi për shkarkimin e Kelmendit bazohet “në një energji të qartë të një puçi institucional”. Reagime kundër shkarkimit të Kelmendit kanë bërë edhe Zyra e BE-së në Kosovë dhe organizatat e shoqërisë civile duke e cilësuar atë si pengesë në zbatimin e reformës në sistemin prokurorial.
KPK-ja ka 11 anëtarë, por një prej tyre Jovo Radoviq ka dhënë dorëheqje në vitin 2022 kur u tërhoqën nga institucionet e Kosovës prokurorët, policët, gjyqtarët e administrata në sistemin e drejtësisë. Kërkesa e tij për dorëheqje nuk është trajtuar fare nga Këshilli.
Krahas procesverbalit të mbledhjes së kaluar, KPK-ja, të hënën miratoi Raportin për vlerësimin e performancës së shtatë (7) prokurorëve të grupit VI për vitin 2025, miratoi marrëveshjen vullnetare për një rast disiplinor, ndërsa një rast tjetër disiplinor, siç ka njoftuar KPK-ja, është “shtyrë për trajtim në njërin nga takimet e ardhshme të KPK-së për shkak të mungesës së subjektit të hetimit”.