Arbëri

Sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, 4 vjet e 11 muaj burgim për Millosh Antoviqin

Millosh Antoviq

Foto: Driton Paçarada

Përditësuar, 14:00 - Millosh Antoviq është dënuar me 4 vjet e 11 muaj burgim dhe gjobë 20 mijë euro nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për sulmin në Zveçan më 29 maj të vitit 2023, gjatë të cilit u lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. 

Antoviq dhe Prokuroria Speciale kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë dhe u dakorduan për një dënim unik prej 5 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë. Mbrojtja kërkoi që gjoba të paguhet me këste. Por, gjykata ka dhënë një dënim unik prej 4 vjet e 11 muaj burgim. E gjoba 20 mijë euro do të paguhet me këste brenda dy vjetëve. 

Antoviq akuzohej për katër vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm”, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.

Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë më 30 korrik të vitit 2025.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjykatësi Valon Kurtaj.

Sipas aktgjykimit, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, Antoviq u dënua me 2 vjet burgim, për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, u dënua me 3 vjet burgim. Për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” u dënua me 6 muaj burgim i cili i zëvendësohet me 18 mijë euro gjobë. Kurse, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” u dënua me 2 mijë euro gjobë.

Ndaj Antoviqit, u shpall dënim unik me 4 vjet e 11 muaj burgim dhe 20 mijë euro gjobë. Dënimin me gjobë për dy veprat e fundit, i akuzuari do ta paguajë me këste brenda dy vitesh.

Në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, që nga prilli i këtij viti. I njëjti obligohet të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 150 euro dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
 


 

I akuzuari për sulm ndaj KFOR-it, Millosh Antoviq, e pranon fajësinë

Prokuroria Speciale dhe Millosh Antoviq, i akuzuar për sulm ndaj KFOR-it, kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë. 

Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Antoviq akuzohet për katër vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm”,

“Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.

Ndaj Antoviqit, i njohur me nofkën “Xhaja”, u ngrit aktakuzë më 30 korrik të këtij viti.  Ai gjendet në paraburgim që nga 15 prilli.

Antoviq ka thënë para gjykatësit se është i vetëdijshëm që me anë të marrëveshjes me prokurorinë e ka pranuar fajësinë dhe ka hequr dorë nga e drejta për gjykim të rregullt, për thirrjen e dëshmitarëve e prezantim të provave. 

Antoviq akuzohet për sulmin më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan, ku u lënduan disa ushtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“I akuzuari pajtohet ta pranojë fajësinë për sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmën që kryen vepra penale dhe huliganizëm, për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge si dhe veprën penale mbajtjen në pronës të paautorizuar të armës”, ka thënë prokurori Bekim Kodraliu. 

Mbrojtja ka thënë se me dënimin me 5 vjet burgim dhe gjobë 20 mijë euro përmbushet qëllimi i dënimit. Avokati i Antoviqit ka propozuar që  gjoba me të holla të paguhet me këste. 

Njëjtë ka propozuar edhe prokuroria që të shqiptohet dënim unik prej 5 vjetësh burgim dhe gjobë 20 mijë euro.

“Propozojmë që të pandehurit t'i shqiptohet dënim unik prej 5 vjetësh burgim efektiv dhe gjobë prej 20 mijë eurosh, duke llogaritur edhe kohën në paraburgim dhe masa e paraburgimit të mos i ndërpritet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit”, tha prokurori Kodraliu.

Gjykata ka marrë aktvendim, duke u pajtuar me marrëveshjen e arritur dhe pranimin e fajësisë.