Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: As SHBA-ja s’mund të japë garanci se Kosova do të bëhet pjesë e OKB-së

Afrim Hoti, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se asnjë subjekt i së drejtës ndërkombëtare nuk mund të japë garanci të fortë se Kosova do të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara.

Hoti ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se një gjë të tillë nuk mund ta garantojë madje as SHBA-ja si superfuqi botërore.

“Asnjë subjekt i së drejtës ndërkombëtare sot përfshirë edhe SHBA-në s’mund të japin garanca të forta dhe definitive se Kosova do të jetë pjesë e organizatës në Kombet e Bashkuara sepse anëtarësimi në OKB nënkuptonin një proces dje pajtueshmëri të shumë shteteve të cilat në rastin konkret nuk janë akterë. Anëtarësimi në OKB nënkupton një lloj legjitimiteti juridik dhe politik ndërkombëtar që vendi është i barabartë në familjen e madhe të kombeve të lira. Nëse Kosova do të siguronte nga fuqitë e mëdha dhe akterët e tjerë, këtu Serbia nuk ka shumë ndikim, por në mënyrë indirekte pajtueshmëria e Serbisë në këtë punë, do të ishte një dritë jeshile që të paktën Federata Ruse të mos vendoste bllokada”, ka thënë Hoti.

Ai është shprehur optimist se mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë duke ndarë informatën e tij se në fund të muajit shkurt mund të ketë në Bruksel një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij, destinacioni i palës kosovare duhet të jetë njohja.