Arbëri

Haxholli i reagon Presidencës, i kërkon debat për ambasadorët me mandate të skaduara

Fatmir Haxholli

Kryetari i Shoqatës Sindikale në Shërbimin e Jashtëm, Fatmir Haxholli, i ka reaguar Presidencës, që i quajti dezinformata dhe shpifje deklaratat e tij për përgjegjësinë lidhur me faktin se disa misione diplomatike të Kosovës po vazhdojnë të drejtohen me ambasadorë me mandate të skaduara.

KOHA të premten raportoi për ngecjen e emërimit të udhëheqësve të misioneve diplomatike. Në artikull, Haxholli ka thënë se çështja është zvarritur prej vitit 2024, teksa e bëri përgjegjëse për këtë situatë presidenten Vjosa Osmani. E nga presidenca, deklaratat e Haxhollit u cilësuan dezinformata dhe shpifje. Presidenca u shpreh se Osmani nuk do t’i ndërpresë mandatet e ambasadorëve pa i marrë paraprakisht emrat e propozuar për zëvendësime nga Qeveria.

Lidhur me këtë qëndrim të Presidencës, Haxholli ka shkruar sërish në Facebook. ai i ka ftuar për debat televiziv për këtë çështje, ndërsa ka përsëritur se çështja e emërimit dhe lirimit të ambasadorëve është kompetencë e Presidentit.

“Me këtë rast dua të jem i qartë, që qëndrimet e shprehura nuk janë as dezinformim, as shpifje, por pasqyrojnë gjendjen faktike. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, emërimi dhe lirimi i ambasadorëve është kompetencë e Presidentit, me propozim të Qeverisë. Kur mandati i një ambasadori përfundon, është detyrim institucional të koordinohet kthimi dhe zëvendësimi i tij në kohë. Askush nuk ka pohuar as dezinformuar se duhet të ketë kthim pa rotacion; përkundrazi, pyetja është: ku ka qenë ky institucion gjatë gjithë viteve 2023 dhe 2024, kur nuk ka adresuar postet që ishin subjekt i rotacionit? Moskoordinimi i Presidencës me Qeverinë, si përgjegjëse primare për udhëheqjen me Ambasada, për arsye të panjohura për Sindikatën, ka krijuar situatën që në vitin 2025 disa ambasada të mbesin pa ambasadorë, duke dëmtuar funksionimin normal të shërbimit diplomatik”, ka shkruar ai.

Haxholli ka thënë se në këtë rast përgjegjësia ligjore është e qartë.

“Këtë presidenca nuk mund t’ia faturoj retroaktivisht as Kuvendit, as Qeverisë. Përgjegjësia ligjore këtu është e qartë. Loja me përgjegjësi është dështim në lidership, veçmas, e edhe në këtë fushë”, ka shkruar tutje ai.

Haxholli tek i ka ftuar përfaqësuesit e Presidencës në debat televiziv, ka thënë se qëllimi nuk është polemika politike, por mbrojtja e ligjit dhe funksionimit të diplomacisë.

Lexo përditësimet tjera
Ambasadoret

Ambasadorë me mandate të skaduara

Procesi i emërimit të udhëheqësve të misioneve diplomatike ka ngecur prej muajsh dhe shumë prej këtyre...