Në poezinë “Vetë i dyzeti”, poeti Ibrahim Kadriu shpreh në mënyrë të ndjeshme brengat dhe shqetësimet e tij personale, të cilat kapërcejnë kufijtë e përvojës individuale dhe ngrihen në një përmasë universale, në përjetimet e njerëzimit. Ai arrin t’ia bëjë të dukshme lexuesit se peshat e individit nuk janë thjesht personale
Timo Merkuri
Poezia “Vetë i dyzeti” e Ibrahim Kadriut është një reflektim mbi përballjen me vështirësitë e jetës dhe peshën e problemeve kolektive që ngarkojnë individin, ku secili varg tingëllon si një frymëmarrje e ngadalshme, e ngarkuar me hijet e brengës dhe një dritë të heshtur që vjen nga brendia e shpirtit. Ajo shfaqet si një peizazh i brendshëm, ku secili varg hap një hapësirë intime, në të cilën emocioni dhe mendimi ndeshen, përplasen dhe bashkëjetojnë në mënyrë njëkohësisht harmonike dhe kontradiktore. E krijuar mbi një themel tradicional, por me ndjeshmëri ekzistencialiste, poezia sjell në vëmendje të lexuesit kryesisht sfidat shpirtërore të njeriut, si vetmia dhe kërkimi i kuptimit të jetës. Poeti shfaq një udhëtim të dyfishtë, të brendshëm dhe të jashtëm, ku përballet me pengesat e përditshme, njerëzit dhe emocionet e tij. Vetmia dhe ndjenja e kërkimit përshkojnë vargjet, duke theksuar përpjekjen për të kuptuar jetën dhe për të gjetur qetësi shpirtërore, si një valë e lehtë që përplaset mbi brigjet e shpirtit, duke lënë gjurmë të fshehta ëndrrash dhe kujtimesh, dhe njëkohësisht duke ndezur një dritë të brishtë shprese në mes të errësirës së brendshme.
Në përpjekjen për t’i dhënë kuptim jetës, përmes vargjeve poeti shpreh një ndjenjë të thellë zhgënjimi dhe pasigurie. Ai kërkon vazhdimisht kuptimin e jetës, por çdo përpjekje përfundon në përplasje, herë me paqartësinë e herë me peshën konkrete të ekzistencës. Ky tension mes dëshirës për kuptim dhe pamundësisë për ta kapur atë e bën poezinë të gjallë dhe të ndjeshme, duke u shndërruar në një reflektim jo vetëm personal, por edhe kolektiv, të ndjeshmërisë njerëzore. Ky tension përbën boshtin mbi të cilin ndërtohet cikli i vazhdueshëm i kërkimit dhe humbjes, duke thelluar ndjenjën e vetmisë. Përmes një strukture të rregullt dhe një përdorimi të përmbajtur të figurave letrare, Kadriu përcjell ndjenjën e ngarkesës së tij shpirtërore, por njëkohësisht lë të hapur mundësinë e një rezistence të heshtur, që buron nga vetë akti i krijimit poetik dhe shfaqet si një dritë e fshehtë që ndriçon rrugën e individit në errësirën e jetës.
Kuptimi i shprehjes “Vetë i dyzeti” – frazeologji popullore
Kemi të bëjmë me një frazeologji të përdorur rëndom për një njeri të rënduar nga derte, brenga e halle të shumta, të cilat për t’u mbartur normalisht do të duheshin dyzet vetë (apo edhe katërqind, në disa variante), poezia e Ibrahim Kadriut më sjell ndër mend një këngë popullore të viseve të mia që thotë: “Hallet e dertet e mia / Nuk i di as Perëndia / Por i di zemër mavria (e zezë)”, duke shprehur kështu peshën e rëndë të jetës që i ka rënë mbi supe njeriut dhe brengat e shumta të shpirtit. Meqenëse populli ynë brengat dhe hallet i ka shprehur gjithnjë në këngë, le ta dëgjojmë edhe këtu kur rënkon duke kënduar: “O moj ti zemër e shkretë / Hapu bënu fletë fletë / Që të dalin marrazet-ë”, dhe tingujt e këtyre vargjeve na mbushin me një heshtje të ngrohtë, si një aromë fëmijërie që ngjitet në kujtesë. Sigurisht, këngëtari popullor ka brenga shpirti për të cilat thotë: “Tu drejtohem maleve / Malet më largohen”, sepse edhe ato, si figura simbolike, nuk janë në gjendje ta mbajnë peshën e tyre. Para se të flasim për peshën e halleve dhe derteve të Ibrahim Kadriut, dua të theksoj se shpalosja “fletë fletë” e zemrës së tij në vargje përfaqëson një lidhje të drejtpërdrejtë me artin oral, ku artisti popullor vetëm këngës i beson jo vetëm brengat dhe hallet, por edhe të fshehtat e zemrës. Duke krijuar këtë poezi shumëvargëshe, Kadriu nuk bën gjë tjetër veçse vijon traditën e artit shqiptar, me një ndryshim të rëndësishëm: ai ia beson poezisë sekretet e shpirtit të tij. Mos u mërzisni ju këngëtarë: melodiciteti dhe muzikaliteti që përmban poezia e çojnë natyrshëm drejt këngës; mjafton të gjendet një kompozitor dhe ajo mund të këndohet, derisa të harrohet se fillimisht ka qenë poezi e Ibrahim Kadriut. Sigurisht, unë dhe disa shokë nuk do ta harrojmë këtë fakt, por në dalldinë popullore të këngës askush nuk do të ketë kohë të na dëgjojë.
Shqetësime të përbashkëta njerëzore
Në poezinë “Vetë i dyzeti”, poeti Ibrahim Kadriu shpreh në mënyrë të ndjeshme brengat dhe shqetësimet e tij personale, të cilat kapërcejnë kufijtë e përvojës individuale dhe ngrihen në një përmasë universale, në përjetimet e njerëzimit. Ai arrin t’ia bëjë të dukshme lexuesit se peshat e individit nuk janë thjesht personale, por pasqyrojnë shqetësime të përbashkëta njerëzore, duke e shndërruar përvojën e tij personale në një reflektim mbi fatin dhe gjendjen e përgjithshme njerëzore. Problemet që poeti trajton janë pasojë e rraskapitjes së përditshme fizike në punë, vetmisë, hipokrizisë, zhgënjimeve dhe pyetjeve ekzistenciale, por pikërisht këto elemente i japin poezisë së Kadriut një përmasë të dukshme filozofike.
1. Poeti shpreh rraskapitjen e tij në jetë, e cila buron nga veprimet e përditshme të lodhshme dhe përpjekjet e pandërprera për ta përballuar atë. Ai ndien se koha kalon dhe i shton jetës së tij vetëm barrë lodhjeje dhe stërmundimi, siç shprehet në vargjet: “Koha vete në ikje në mua veç lodhje / Për çdo ditë raste me njerëz përballë”, te strofa e dytë. Kjo rraskapitje i jep lexuesit ndjesinë e një ritmi të ngadalësuar të jetës, ku çdo ditë shndërrohet në sfidë dhe çdo moment mbart peshën e përvojës dhe reflektimit të brendshëm. Rraskapitja shfaqet si pasqyrim i drejtpërdrejtë i vështirësive të jetës, ku çdo përballje me të tjerët i shton peshë barrës që mban poeti, i cili, përmes këtyre vargjeve, shfaq një ndjenjë thellësisht njerëzore: koha dhe përballja e përditshme me jetën e rëndojnë individin jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht.
2. Një problem thelbësor që poeti paraqet është vetmia, e cila për të nuk është thjesht një gjendje e përkohshme, por një peshë e rëndë shpirtërore, që e lodh sa shpirtërisht, aq edhe fizikisht, më tepër se çdo ngarkesë materiale. Kjo shprehet bukur në vargjet: “Pesha dhembjes më ktheu nga vetja / Të shikoja nga larg se si unë dukem / Kur jetoj në vetmi më rrëmben etja”. Vetmia këtu shndërrohet në hapësirë reflektimi, ku individi përballet me veten dhe universin e tij të brendshëm, dhe lexuesi ndien një ngarkesë të përbashkët të shpirtit njerëzor. Vetmia nuk paraqitet si gjendje fizike, por, duke pasur një dimension të thellë shpirtëror, shndërrohet në dhembje. Ajo e largon poetin nga të tjerët, e izolon dhe e kthen në një njeri që mbetet vetëm përballë jetës së tij. Ky përjetim i rëndë merr karakter universal, sepse shpreh ndjesinë e izolimit që përjetojnë shumë individë në shoqëritë moderne.
3. Brengave të tij u shtohet edhe përballja me hipokrizinë e njerëzve përreth, të cilët i afrohen miqësisht, por nuk ndiejnë dhe nuk ofrojnë asgjë të vërtetë miqësore, pasi dashamirësia dhe miqësia e tyre janë thjesht maska, ndërkohë që janë të gatshëm për ligësi ndaj tij dhe të tjerëve. Në vargjet “Endem gjithandej mes njerëzve të uritur / Për t’u shfaqur prore sikurse nuk janë”, te strofa e katërt, poeti denoncon hapur këtë hipokrizi, duke ndier se jeton në një botë ku maskat janë bërë pjesë e përditshmërisë njerëzore. Kjo përballje e vazhdueshme me fytyrat e dyfishta e shndërron poezinë në një vështrim kritik mbi natyrën njerëzore dhe marrëdhëniet shoqërore. Pikërisht kjo fshehje e identitetit pas maskave të sjelljes së rreme përbën një reflektim të shqetësimit shoqëror, ku jeta pranë hipokrizisë kthehet në burim trishtimi dhe zhgënjimi.
4. Një tjetër brengë që poeti përjeton është përballja me ironinë e botës dhe kufizimet që i imponon koha. Vargjet “Kur durimi e humb toruan para ironisë / Që sulet e ma plagos shpirtin pa mëshirë”, te strofa e gjashtë, shfaqin dhimbjen e shkaktuar nga ironia e jetës, sidomos në sfidat e përditshme. Kjo ironi, që shpesh duket e pandryshueshme, thekson boshllëkun dhe tensionin mes pritshmërive të individit dhe realitetit të ashpër. Ironia godet veçanërisht individët e ndjeshëm dhe të ndershëm, duke ua shtuar peshën e vuajtjes, pasi nënvlerëson aftësitë dhe përpjekjet e tyre. Nga këto vargje duket se poeti është përballur ashpër me ironinë e jetës, me cinizmin dhe fyerjet e atyre që ndodhen në pushtet apo në pozita më të larta shoqërore.
5. Në vargjet “Nuk gjej përgjigje në pyetjen ç’është jeta / Që më shtynë andej e këndej deri n’ varr”, te strofa e katërt, poeti trajton brengën ekzistenciale të kuptimit të jetës. Ky shqetësim, i cili ka munduar njerëzimin përgjatë shekujve, në poezinë e Kadriut merr trajta filozofike, duke theksuar peshën e pyetjes së ngritur. Pyetja “ç’është jeta” e vendos poezinë në dialog të heshtur me filozofinë dhe traditën popullore, duke e bërë përjetimin e poetit universal. Kjo pyetje mbetet pa përgjigje dhe pikërisht kjo e mban poetin të lidhur pas një kërkimi të pafund, ashtu siç ndodh edhe në artin gojor popullor: “O moj jetë, jetë e rreme / që kur linda më gënjeve / pleqërinë s’ma rrëfeve”.
6. Vargu “Në çdo hap më ndjek hija e fatit të keq” përfaqëson fatalizmin që mbulon jetën e poetit. Ky element e lidh poezinë me besimet dhe frazeologjitë popullore, duke treguar se, edhe kur individi përpiqet, forca jashtë tij shpesh e pengojnë. Poeti e ndien veten të përndjekur nga tersi, nga fati i keq, si një peshë që nuk ka fuqi ta kapërcejë. Ky fatalizëm shpreh bindjen se përpjekjet për ta përmirësuar jetën shpesh duken të kota, duke e futur individin në një rreth vicioz pengesash dhe pesimizmi.
7. Brenga më e madhe e poetit mbetet dhimbja e vetmisë, e cila në këtë poezi shfaqet si metaforë dhe simbol i gjendjes së tij ekzistenciale. Kjo vetmi e shndërron poezinë në një hapësirë meditimi, ku lexuesi mund të përjetojë bashkë me poetin boshllëkun, ankthin dhe kërkimin e pandërprerë për kuptim. Ajo nuk është thjesht mungesë e pranisë fizike të të tjerëve, por një vetmi shpirtërore dhe filozofike, një distancë nga shoqëria dhe kuptimi i saj.
Në poezi kjo dhimbje shndërrohet në metaforë të rrugëtimit të brendshëm, një përballje me vetveten dhe me kohën, siç shihet në vargjet: “Isha gjithnjë në rrugë të arrija prehje / Ecja n’ largësi – që do të kishte fund / Në luhatje n’ vazhdim – kërkoja dehje / E kuptimin e jetës nuk e gjeja askund.” Vetmia bëhet simbol i përjetimit të vazhdueshëm dhe i kërkimit të një kuptimi të munguar, duke i dhënë poezisë rezonancë ekzistenciale universale. Në aspektin ekzistencialist, kjo vetmi pasqyron ndjenjën e absurditetit dhe humbjes së orientimit, një temë qendrore e këtij rrymi.
Po ashtu, vargu “Pesha e dhembjes më ktheu nga vetja”, te strofa e tretë, sjell idenë se dhimbja, në vend që ta lehtësojë poetin, e detyron të përballet me plagët e tij të brendshme. Kështu, dhimbja shndërrohet në formë kërkimi, një përpjekje për rikthim te vetvetja dhe për të rimarrë pjesët e humbura të identitetit. Vargu “Duke më lënë kështu në rropatje vetë i dyzeti” përfaqëson kërkimin e pafund të njeriut, që prodhon boshllëk shpirtëror dhe ankth ekzistencial.
Nëse ndalemi te personifikimi “Vetmia lëshon rrënjët”, shohim se poeti i shton dhimbjes një dimension të ri, duke e shndërruar poezinë në një peizazh të gjallë shpirtëror, ku emocionet rriten dhe rrjedhin si rrënjë të fshehta. Në këtë aspekt, poeti shfaq edhe një përpjekje për t’u shkëputur nga vetvetja, për ta gjetur “ilaçin” diku jashtë tij, duke e bërë kërkimin për dashuri pjesë të domosdoshme të këtij udhëtimi të brendshëm.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Vetë i dyzeti
Ibrahim Kadriu
Pesha e dhembjes më ktheu nga vetja
Të shikoja nga larg se si unë dukem
Kur jetoj në vetmi më rrëmben etja –
Diçka m ‘shtyn si n ‘ëndërr t‘zhdukem
Isha gjithnjë në rrugë të arrija prehje
Ecja n ‘largësi - që do të kishte fund
Në luhatje n ‘vazhdim - kërkoja dehje
E kuptimin e jetës - s’e gjeja askund
Koha vete në ikje në mua veç lodhje
Për çdo ditë raste me njerëz përballë
Thesin plot me aq shumë ndodhje
Dhe bota e ethshme - sillej vërdallë
Dhe i tëri shndërrohem veç një rrëfim
Që zgjat aq – sa zgjat një valë lumi
I ngarkuar me gëzim dhe me hidhërim
Mbetur n ’harresë – sikur m’merr gjumi
Endem gjithandej mes njerëzve t ‘uritur
Për t’u shfaqur prore sikurse nuk janë,
I shoh në përpëlitje jete për t’u ngritur
U lënë përshtypje të tjerëve si azgan
Në vazhdim të jetës - fshehin qëllimin
Për synim etjesh s’iu shkel këmba kurrë
Me ngritje koke - e lëndojnë mendimin
Dhe kapërcejnë jetën - pa nofkën burrë
Përpiqem për t ‘marrë veten me të mirë
Kur durimi e humb toruan para ironisë
Që sulet e ma plagos shpirtin pa mëshirë
Kur i përulem dhe i bëj shërbim vetmisë
Nuk gjej përgjigje në pyetjen ç ‘është jeta
Që më shtynë andej e këndej deri n’ varr
Pa kuptim të kërkuar në ndërkohë mbeta
I përplasur gjithnjë - nuk dita çfarë t’ marr
Nga koha shterpë që m ’shoqëroi n’ tokë
I rraskapitur n ‘ofshamë - brez me brez
Krimbi i urrejtjes - më zë pisk e më rrokë
Më shtrëngon e më shtrydh sikur ushejz’
Jam pajtuar gjithherë e mirë me durimin
Për t’i ndihmuar shpirtit ia bëj krejt rrafsh
Në kohë hamendjesh e thërras shpëtimin
T’më mbajë n ‘këmbë, të më qafojë me afsh.
Ia kam zënë pritën kohës - për biografinë
E lus të më ndihmojë të ec tutje i zgjuar
Dhe të shëtis gjithandej nga ndjesia prin
Gjurmëve të traditës esëll duke kërkuar
Dhe ndeshem shpesh me hire që frenojnë
Qëllimi është i qartë - për ndalje të hapit
Se si vlon gjaku pastaj - e etjet urdhërojnë
Për vazhdim më tutje me forcën e vrapit
U qasem veprave - u rri me vullnet gatitu
Prej faqe n’ faqe i tëri n ‘ekstazë shtrihem,
Edhe gjumin e lë anësh - eci e eci pa përtu’
Derisa kënaqem - dhe sa i lumtur ndihem
I strehuar në fjalët mbëltuar me emocione
Vazhdoj rrugën andej drejt vdekjes që pret
I mbetur shumë larg të afërmve të kësaj ane
Vetmia lëshon rrënjët kur gjithçka afër vret
Iu fala kohës me t’gjitha ngatërresat ç ‘kishte
E ajo tutje në rrugëtim e sipër pa mua mbeti
E tëra si flluskë sapuni në këtë rrugëtim ishte
Duke më lënë kështu në rropatje vetë i dyzeti.