Arbëri

Ambasadorë me mandate të skaduara

Pa Kuvend të konstituuar dhe pa një qeveri të re, procesi i emërimit të udhëheqësve të misioneve diplomatike ka ngecur dhe shumë prej tyre vazhdojë të udhëhiqen me titullarë që u ka skaduar mandati. Edhe pse mungesa e rotacionit është pasojë e mos konstituimit të Kuvendit, në Shoqatën Sindikale në të MPJD-së thonë se kjo çështje është zvarritur që nga viti 2024. E presidentja nuk do t’i ndërpresë mandatet e ambasadorëve pa i marrë paraprakisht emrat e rinj të propozuar nga qeveria

Procesi i emërimit të udhëheqësve të misioneve diplomatike ka ngecur prej muajsh dhe shumë prej këtyre misioneve vazhdojnë të drejtohen nga titullarë me mandate të skaduara.  

Moskthimi i ambasadorëve lidhet me bllokadën institucionale që është shkaktuar nga moskonstituimi i Kuvendit dhe mungesa e një qeverie të re. Pa konstituimin e Kuvendit dhe pa funksionimin e komisioneve parlamentare, nuk mund të ndiqen procedurat për dëgjimin dhe miratimin e kandidatëve për postet diplomatike.

Ka misione të cilat udhëhiqen me ambasadorë që u ka skaduar mandati prej më shumë se dy vjetësh.

Në këtë listë përfshihen Ambasada e Kosovës në Suedi, ajo në Arabinë Saudite, ambasada në Panama, në Kanada, ajo në Senegal si dhe ambasada në Izrael.

Janë edhe një numër shefash të Konsullatave dhe misioneve të tjerë diplomatike me mandate të skaduara, përfshirë Konsullatën e Kosovës në Gjermani e Turqi, si dhe zyrtar në Greqi e Serbi.

Pa ambasadorë janë edhe misionet në Malajzi, Tajlandë, Austri e Kolumbi.

Është edhe një kontingjent tjetër i ambasadorëve që së shpejti u përmbyllet mandati, përfshirë ata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi, Mbretëri të Bashkuar e Gjermani.

Shqetësim për mosemërimin e ambasadorëve të rinj shprehën edhe në Shoqatën Sindikale në Shërbimin e Jashtëm.

Kryetari i Sindikatës, Fatmir Haxholli, ka thënë se kjo çështje është zvarritur që nga viti 2024.

“Jemi në një realitet ku, për sukseset, ka garë për të marrë meritat, ndërsa për dështimet mbizotëron shmangia dhe shpërndarja e përgjegjësisë. Në frymën e transparencës, duhet thënë hapur: përgjegjësia e vetme për faktin që disa misione diplomatike vazhdojnë të drejtohen nga ambasadorë me mandate përtej katër vjetëve bie mbi udhëheqësen e politikës së jashtme – presidenten Osmani. E njëjta përgjegjësi vlen edhe për misionet ku mungojnë fare emërimet e ambasadorëve”, ka thënë Haxholli. “Sidoqoftë, urojmë që në vitin 2026, me zgjedhjen e një presidenti apo presidenteje të re, të kemi një lidership të politikës së jashtme që e inkurajon qeverinë të planifikojë rotacionin, të propozojë emra dhe të vendosë një komunikim të rregullt, konsultues e koordinues, për këtë proces”.

Sipas Haxhollit, praktika e mbajtjes së ambasadorëve përtej mandatit katërvjeçar  mund t’u shërbejë atyre që i kanë propozuar, por nuk i shërben dhe nuk i bën asnjë nder vendit, sidomos duke pasur parasysh se Kosova ka një shërbim diplomatik relativisht të ri.

“Përtej katër viteve, kredibiliteti i tyre përfaqësues bie ndjeshëm dhe roli i tyre shënon një shkëputje të plotë nga konteksti dhe zhvillimet në vend. Kjo nuk është kritikë personale ndaj individëve apo kolegëve në detyrë, përkundrazi, është një kritikë e qartë ndaj qasjes joefikase të kreut të diplomacisë. Meqë jemi në një situatë ku kemi pasur zgjedhje, është e natyrshme që legjitimiteti i të gjitha institucioneve në një periudhë të shkurtë të rifreskohet. Një nga punët e para duhet të jetë kthimi i ambasadorëve ‘veteranë’, përfshirë edhe ata që janë para pensionimit, e madje mund të ketë kuadro që tashmë do të duhej të ishin pensionuar”, ka potencuar Haxholli.  

E në Presidencë përmes një përgjigje me shkrim deklaruan se Presidentja nuk do t’i ndërpresë mandatet e ambasadorëve pa i marrë paraprakisht emrat e propozuar nga qeveria, për zëvendësime. Në këtë institucion iu përgjigjen edhe kritikave të kryetarit të Shoqatës Sindikale ndaj Osmanit, si udhëheqëse e politikës së jashtme.

“Këta emra duhet domosdo t’i plotësojnë kriteret kushtetuese, ligjore e profesionale. Në të kundërtën, nëse presidentja thjesht ua ndërpret mandatin ambasadorëve aktualë, ambasadat mbeten pa udhëheqës, në disa raste me ndonjë diplomat me përvojë 1-vjeçare e në disa të tjera komplet të zbrazëta. Është dëm i madh për interesat e Kosovës nëse ambasadat mbesin thjesht ndërtesa, por pa përfaqësues që mbrojnë interesat e Kosovës. Presidentja pra po e mendon më të mirën për Kosovën dhe shërbimin e jashtëm për dallim nga kjo ‘sindikatë’, e cila dezinformon dhe shpif”, shkruan në përgjigjen e Presidencës.

Shoqata Sindikale riktheu problematikën e mandateve të skaduara me rastin e organizimit të Konferencës Vjetore të Ambasadorëve këtë javë në Prishtinë.

Sipas përfaqësuesve të saj, ky takim ndodh në mungesë të rifreskimit të legjitimitetit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit, “fakt që zbeh funksionin dhe qëllimin e saj primar”.

“Për më shumë, nuk kuptohet urgjenca dhe ‘timing-u’ i saj, duke ditur që takimi i fundit ishte jo larg muaj, më saktësisht në dhjetor të 2024. Konferencat nuk duhet të korrespondojnë e as t’i përshtaten planifikimit të pushimeve të Shefave të Misioneve. Përkundrazi ato duhet që ekskluzivisht t’u subordinohen qëllimeve kontekstuale dhe strategjike, duke korresponduar vetëm me nevojat institucionale dhe shtetërore. Përderisa Shoqata përkrah fuqishëm traditën e mbajtjes së Konferencave, njëkohësisht nënvizon se orari dhe formati i sivjetshëm i saj, gusht 2025, është krejtësisht jo relevant. Kësaj duhet t’i shtohet edhe shqetësimi që një numër i konsiderueshëm i udhëheqësve të misioneve tashmë kanë përmbushur mandatet e tyre. Ata do të duhej që tashmë të shërbenin në MPJD dhe jo në misione”, shkruan në reagimin e kësaj shoqate.

Sipas Shoqatës Sindikale, vendet me shërbime diplomatike efikase zbatojnë periudha shërbimi 3 deri në 4-vjeçare. Ajo ka vlerësuar se pavarësisht kontingjentit të mirë përgatitur të anëtarëve të karrierës që aktualisht shërbejnë në Ministri të Jashtme dhe Diasporës, nuk është bërë zëvendësimi i atyre që kanë përfunduar mandatin, duke dëshmuar një model jo të mirë të funksionimit.

“Adresimi i kësaj gjendje është obligim politikbërës dhe ligjor. Vazhdimi dhe mirëmbajtja e saj është papërgjegjësi dhe dështim në lidershipin e kërkuar në këtë fushë”, ka vlerësuar Shoqata.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të premten nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me skadimin e mandateve ambasadorëve.

Problemi me ambasadorët e ka përcjellur secilën qeveri. Kritika të mëdha janë dhënë për faktin që shumë nga përfaqësuesit e misioneve janë përzgjedhur me çelës politik.

Shefat e misioneve me mandate të skaduara deri në fund të 2024-ës

Ambasada e Kosovës në Suedi – mandati skadoi në prill 2023

Ambasada e Kosovës në Arabinë Saudite – mandati skadoi në nëntor 2023

Ambasada e Kosovës në Panama – mandati skadoi në tetor 2023

Ambasada e Kosovës Kanada – mandati skadoi në gusht 2024

Ambasada e Kosovës në Senegal – mandati skadoi në janar 2021

Ambasada e Kosovës në Izrael – mandati skadoi në nëntor 202

Konsullata dhe misione të tjera me mandate të skaduara

Konsullata e Kosovës në Gjermani (Mynhen) – mandati skadoi në janar 2023

Konsullata e Kosovës në Turqi (Stamboll) – mandati skadoi në shkurt 2024

Konsullata e Kosovës në Maqedoninë e Veriut (Strugë) – mandati skadoi në nëntor 2023.

Zyra e Interesave të Kosovës në Athinë  – mandati skadoi në nëntor 2022

Zyra Ndërlidhëse në Beograd – mandati skadoi në shkurt 2024

Misionet pa ambasadorë

Senegal

Austri

Tajlandë

Malajzi

Kolumbi

Izrael.

Shefat e misioneve që së shpejti e përmbyllin mandatin

SHBA (Washington, New York, Iowa)

Kanada (Toronto)

Australi (Canberra)

Emirate të Bashkuar (Abu Dabi)

Japoni (Tokio)

Katar (Doha)

Turqi (Ankara)

Mali i Zi (Podgoricë)

Kroaci (Zagreb)

Slloveni (Lubjanë)

Çeki (Pragë)

Francë (Paris dhe Strasbourg)

Mbretëri e Bashkuar (Londër)

Gjermani (Berlin)