Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu: Të nisim të flasim me emra për president

Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që partitë politike të nisin të flasin me emra për kandidatura për president.

Pas takimit me liderë të partive politike që iu përgjigjën ftesës për takim, Haxhiu ka shprehur keqardhje që partitë opozitare refuzuan takimin.

Ajo ka thënë se pas qëndrimit të Lidhjes Demokratike që pranon president konsensual, ka “ardhur koha që të fillojmë të flasim me emra të përveçëm për një kandidat konsensual, e që s’është i ndonjë partie politike”.

Tek ka komentuar kërkesën e opozitës që fillimisht të ketë konstituim të Kuvendit dhe më pas të diskutohet për Qeverinë e presidentit, Haxhiu ka thënë se “pas gjithë këtyre muajve nuk kemi nevojë të hamendësojmë se çka sjell mungesa e marrëveshjes”.

“E kemi parë disa herë. E dimë ku na çon mungesa e dialogut apo refuzimi i takimeve. Kam dëgjuar qëndrime e partive të pranishme. Të gjitha ishin që duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes së presidentit dhe patjetër të shmangen zgjedhjet e parakohshme. S’pres që partitë të pajtohen për gjithçka. Pres të jenë të gatshme të flasin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci se një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë që të merremi vesh nesër”, ka thënë Haxhiu në konferencë për shtyp.

Edhe “Takim konsultativ” i pushtetit për presidentin Arbëri “Takim konsultativ” i pushtetit për presidentin

Ajo tutje ka thënë se Vetëvendosje i ka votat për kryeparlamentar e Qeveri, por sipas saj prioritet është presidenti për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Prandaj çështja që duhet ta trajtojmë me seriozitet është ajo që e mban të bllokuar perspektivën institucionale të vendit – pra çështja e presidentit. Kurti e theksoi se i ka votat për kryeparlamentar dhe Qeveri. Dhe çështja është te marrëveshja për presidentin. Mund të jetë si çështje në rend të tretë – konstituimi, qeveria dhe presidenti - por është prioritare sepse mund t’i bëjmë të dyja dhe të mos kemi marrëveshje për presidentin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme e panevojshme”, ka thënë Haxhiu “Jam e bindur se qytetarët duan që partitë të ulen e jo të refuzojnë takime e të paraqesin kërkesa në shpërputhje me fuqinë politike të tyre apo kundërshtim me vullnetin e popullit por të ulen të flasin për çështjet e presidentit”.

Lexo përditësimet tjera
“Takim konsultativ” i pushtetit për presidentin

LIVE: “Takim konsultativ” i pushtetit për presidentin