Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Cakolli: Osmani bëri shkelje në rastin e KQZ-së, me Haxhiun situata do të komplikohet

cakolli

Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), vlerëson se ish-presidentja Vjosa Osmani nuk i ka ushtruar kompetencat e saj kushtetuese lidhur me emërimin e anëtarit të fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Cakolli ka vlerësuar se situata mund të komplikohet edhe më tej, sidomos për shkak se ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, vjen nga radhët e LVV-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në radhë të parë, ajo çfarë është e qartë është që presidentja Osmani nuk i ka ushtruar kompetencat e saj kushtetuese, përkatësisht ka bërë shkelje me rastin e mosemërimit të anëtarit të mbetur të KQZ-së, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos e pranuar rastin e saj. Në këtë drejtim, afatet e përcaktuara ligjore tashmë janë shkelur dhe për mua ka qenë e pakuptimtë se si presidentja në ditët e fundit të mandatit të saj nuk e ka ushtruar një kompetencë e cila është kompetencë ekskluzive e saj. Derisa tani kur kemi ushtruese të detyrës së presidentit të vendit, besoj që situata mund të komplikohet edhe më tej sepse meqenëse zonja Haxhiu, edhe pse është ushtruese e detyrës, ajo vjen të ketë pozitë edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje por edhe si kryetare e Kuvendit“, tha ai.

Ai shpjegoi edhe se kujt i takon anëtari.

“Në rast të një emërimi i cili nuk do të ishte në përputhje me praktikën dhe legjislacionin në fuqi, e sipas të cilit anëtari i dytë i takon në këtë rast Partisë Demokratike të Kosovës, meqenëse modeli që aplikon Kosova është modeli strikt i përfaqësimit, ku nuk merret parasysh proporcionaliteti në Kuvend. Pra, nuk ka rëndësi se sa deputetë ka një subjekt politik, për sa kohë që kualifikohet grupi parlamentar si i tillë, atëherë automatikisht edhe ndarja e vendeve bëhet në të njëjtën formë“, thotë Cakolli.

Ai paralajmëroi se, nëse anëtari emërohet nga radhët e LVV-së, çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. E nëse një gjë e tillë ndodhë, sipas Cakollit do të dëmtohet kredibiliteti dhe besueshmëria e publikut ndaj KQZ-së.

Përveç kësaj, ka thënë se kjo do të ishte një indicie se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit do të mund të përdorej për të shtyrë përpara agjendën partiake të cilës i takon në fakt edhe vetë Haxhiu.

Të mërkurën Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. Në rast se ka më pak grupe parlamentare, grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

11 prilli është afati i fundit ligjor për ta bërë emërimin.