Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gruda për takimin e Mustafës me Kurtin: Qëndrim personal i tij, PDK-ja s’ka dialog me LVV-në

perparim gruda

Takimin e deputetit të PDK-së, Rustem Mustafa me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, bashkëpartiaku i tij, Përparim Gruda e ka quajtur qëndrim personal.

Ai ka thënë se partia të cilës ai i takon nuk ka dialog me Lëvizjen Vetëvendosje.

Gruda ka thënë se qëndrimet i kanë të qarta lidhur me këtë çështje.

“Zoti Mustafa e ka një qëndrim personal dhe ai është vetëm qëndrim i tij. Partia Demokratike e Kosovës nuk më dialog me LVV-në. Qëndrimet tona janë të qarta dhe janë bërë të ditura nga kryetari i Partisë”, ka deklaruar.

Mustafa të hënën në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se është takuar me kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për ta diskutuar platformën e tij.

Mustafa ka propozuar një “Koalicion të Normalitetit” mes Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së dhe komuniteteve joshumicë.

“Personalisht kam pasur takim të rëndësishëm, të gjatë e të frytshëm me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ditëve të fundit. Krejt lidhur me platformën që kam shpalosur. Ndoshta jo të gjitha detajet që sot lexohen”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se kanë nisur negociatat dhe ka nisur njohja me idenë e tij, duke shtuar se pret që ditët në vazhdim t'i jepet mundësia për këtë marrëveshje.

Ai ka thënë se mundësia më e mirë për një marrëveshje koalicioni është mes Vetëvendosjes dhe PDK-së.