Oleksiy Goncharenko, deputet ukrainas, që të martën në Këshill të Evropës bëri thirrje për njohje të Kosovës, ka thënë se kjo ide ka mbështetje në shtetin e tij, por se zyrtarisht nuk ka gatishmëri që të ndodhë.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Goncharenko, që pati sponsorizuar një rezolutë në Parlamentin e Ukrainës për njohje të Kosovës, ka kërkuar që 12 shtetet brenda Këshillit të Evropës që ende s’e njohin Kosovën ta bëjnë këtë dhe ta mbështesin në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
I pyetur se a ka diskutime për njohjen e Kosovës nga Ukraina, Goncharenko ka thënë se vazhdojnë të jenë pozicionet e ndara.
“Tani për tani, nuk e kemi mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kështu që çështja është ende duke u diskutuar, por qëndrimi im nuk ka ndryshuar. Do të vazhdoj ta shtyj përpara këtë çështje siç e kam bërë sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kështu që shpresoj që do të arrijë së shpejti dita kur Ukraina përfundimisht do ta njohë në plotni pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Goncharenko ka thënë se MPJ-ja ukrainase po përballet me sfida të mëdha dhe nuk synon të bëjë hapa që i konsideron radikalë.
“Mendoj se kjo shpjegon pse ata mbajnë këtë qëndrim. Sepse në përgjithësi, me të gjithë ata që flas në Ukrainë, të gjithë e kuptojnë faktin se Kosova tashmë është e pavarur dhe meriton pavarësinë për luftën e popullit të Kosovës. Dhe po ashtu që Kosova përkrah Ukrainën, në kontrast për shembull me pozicionin serb, e cila mban një pozicion absolutisht të paqartë. Kështu që, në përgjithësi e shoh që njerëzit e mbështesin idenë e njohjes, por zyrtarisht, frikësohem që nuk janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë tutje Goncharenko.
Oleksiy Goncharenko, deputeti ukrainas që përfaqëson shtetin e tij edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ka thënë se Rusia tenton ta përdorë Ballkanin Perëndimor për të krijuar gjakderdhje të re, pas pushtimit të Ukrainës.
“Një kaos të ri e probleme të reja për botën e Ballkanin perëndimor. Për këtë, Rusia u përpoq të shtynte një grusht-shtet në Mal të Zi. Për këtë Rusia po përpiqet ta përdorë Serbinë ta destabilizojë situatën e sigurisë, për këtë Rusia po e destabilizon Bosnjë e Hercegovinën përmes njerëzve si Milorad Dodiku. Kështu që, është e qartë se ky është plani dhe taktikat e tyre”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai e ka cilësuar si zgjidhje të duhur qëndrimin e Kosovës kundër Rusisë.
“Mendoj se është një zgjedhje e duhur nga njerëzit tuaj që të jetë sa më larg që mundet prej Rusisë. Sepse Rusia është tërësisht djallëzore”, ka thënë ai.
“Dimri, gjenerali më i mirë i Putinit”
Për ofensivën e re ruse ndaj civilëve ukrainas, Goncharenko ka thënë se Rusia “po përdor sulme terroriste, sepse (presidenti rus Vladimir) Putini është shumë i dobët për ta fituar luftën ndaj ushtrisë së Ukrainës”.
“Nuk mund të bëjë asgjë kundër ushtrisë ukrainase, kështu që merr hakmerret në fëmijë e gra. Përmes kësaj ai po ashtu provon të tregojë se është ende i fortë. Fillimisht dëshiron t’ia tregojë popullit rus. Që ende është i fortë dhe mund të shkaktojë dhimbje. Kjo është ajo që ka ndodhur. Por ne nuk frikësohemi. Natyrshëm se kjo është brengosëse për ne. Po ashtu, ne e dinim se Rusia do të bëjë gjithçka që mundet për ta shkatërruar infrastrukturën tonë energjetike, në mënyrë që ukrainasit të ngrijnë gjatë dimrit. Putini e konsideron dimrit si gjeneralin e tij më të mirë dhe dëshiron ta shfrytëzojë atë sa ma shumë që mundet. Kështu që në përgjithësi e dinim se një gjë e tillë mund të ndodhte. Është shumë e dhimbshme, sepse po humbim njerëzit tanë, infrastrukturën por ende jemi me vetëbesim në fitoren tonë. E dimë se do t’i rindërtojmë të gjitha dhe e dimë se Rusia do t’i paguajë dëmet”, ka thënë Goncharenko.
Sipas Goncharenkos, aktualisht Putini ka nisur të duket më i dobët te rusët dhe po provon me sulme të ashpra ndaj civilëve të shfaqë fuqinë e tij.
Duke komentuar sulmet e reja masive të Rusisë, Goranchenko ka thënë se ato janë bërë me qëllimin që të binden qytetarët rusë “se Putini është ende i fortë”.
Goncharenko ka thënë se shumë njerëz në Rusi janë të frikësuar nga Putini, ndërsa ka shumë të tjerë që besojnë se ai ka të drejtë në pushtimin e Ukrainës.
Për përfshirjen e mundshme të Bjellorusisë në luftë, Goncharenko ka thënë se është qëllim i Putinit që të shpërndahet sa më shumë që mundet kjo luftë.
“Sot Bjellorusia është e okupuar nga Rusia dhe kjo është pjesë e realitetit. Po, Putini përpiqet me fuqinë më të madhe të mundshme ta shpërndajë këtë luftë sa më gjerë që është e mundur, duke përfshirë Bjellorusinë, Moldavinë, të instalojë ankth në Ballkan, kudo që mundet. Ky është konteksti dhe nuk është kjo një gjë e re. Ne e dinim këtë dhe me kë po përballeshim”, ka thënë ai duke shtuar se shpreson që Bjellorusia të frikësohet të hyjë në luftë.
“Përdorimi i armës bërthamore, vetëvrasje për Putinin”
Për një rrezik të mundshëm të përdorimit të armës bërthamore, Goncharenko ka thënë se kjo nuk është e pamundur.
“E gjithë bota duhet të punojë që ta parandalojë një gjë të tillë. Dhe se gjuha e vetme që Putini e kupton është gjuha e forcës. Kështu që sinjali duhet të jetë i qartë, nëse Putini do të përdorë armë bërthamore ajo do të jetë një vetëvrasje për të personalisht. Ky është sinjali i vetëm që ai do ta kuptojë”, ka thënë Goncharenko.