Deputeti ukrainas, njëherësh anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksiy Goncharenko, ka njoftuar të mërkurën se ka nisur një peticion që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Në peticion i kërkohet presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, që ta shqyrtojë mundësinë e njohjes së Kosovës. Aty përmendet që Kosova njihet nga vende të fuqishme perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.
“Rusia nuk e njeh Kosovën dhe i konsideron ato toka si serbe. Në të njëjtën kohë, propaganduesit e Kremlinit thonë se është e nevojshme që në Ballkan të ndërmerret ‘i njëjti urdhër siç bëri Putini më 24 shkurt’. Dhe përfaqësues të partisë së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë folur për ‘denazifikim të Ballkanit’. Rusia, bashkë me Serbinë, po përpiqen të nisin luftëra, duke i justifikuar veprimet si çështje kombëtare. Tash, njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës do të demonstronte përkrahjen dhe solidaritetin e Ukrainës në telashet për integritet territorial dhe sovranitet të këtij shteti. Dhe do të tregonte po ashtu se Ukraina, sikur bota perëndimore, përkrah drejtësinë dhe qëndron kah ana e së vërtetës”, thuhet në peticionin e nisur të mërkurën.
Siç ka bërë të ditur Goncharenko, nëse peticioni merr 25 mijë nënshkrime, presidenti Zelenskyy duhet patjetër t’i përgjigjet.
Kosova është rreshtuar kah vendet perëndimore në dënim të pushtimit rus të Ukrainës.
Goncharenko në gusht pati dorëzuar një rezolutë në Parlamentin e vendit të tij për ta njohur Kosovën. Në fund të tetorit, ai vizitoi Kosovën.