Arbëri

Politikani ukrainas për KOHËN: Serbia mund të kryejë veprime agresive në Ballkan

Oleksiy Goncharenko

Deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, ka deklaruar se nuk përjashtohet mundësia që Serbia të ndërmarrë “veprime agresive” ndaj shteteve të Ballkanit dhe se në vitet e ardhshme konfliktet mund të jenë të pranishme.

Konfliktet në Ballkan, sipas politikanit ukrainas, mund të bëhen nga Serbia duke u bazuar “në atë që Rusia po e bën në Ukrainë”.

“Sipas mendimit tim, Serbia, duke parë atë se çfarë po bën Rusia në Ukrainë, mund të ndërmarrë gjithashtu veprime agresive. Fatkeqësisht, vitet e ardhshme mund të jenë të mbushura me konflikte ushtarake në mbarë botën dhe Ballkani, fatkeqësisht, mund të mos përjashtohet”, ka thënë ai.

Derisa po diskutohet çështja e armëpushimit në Ukrainë, ai ka shtuar se është mjaft e diskutueshme, por zor e arritshme.

“Marrëveshjet përfundimtare në Riad (në Arabi Saudite) janë të pamundura. Tash po fillojmë të dëgjojmë dhe t’i shohim disa plane të mundshme të marrëveshjeve dhe rezultateve të përgjithshme në dy palët, pa ndonjë rezultat të qartë. Sipas informacioneve të mia, negociatat s’kanë shkuar mirë për rusët. Ata prisnin diçka, por morën një ofertë në stilin e Donald Trumpit, e cila s’iu ka pëlqyer shumë”, ka thënë Goncharenko në një përgjigje për KOHËN.

Goncharenko është ndër politikanët e rrallë në Ukrainë që ka kërkuar njohjen e Kosovës. Ai ka thënë se lufta e ka ngadalësuar procesin, por shtoi se do të bëjë “gjithçka që kjo të arrihet”.

Mosnjohjen e Kosovës nga Ukraina, Goncharenko e cilësoi të pakuptimtë.

“Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën për arsye që janë krejtësisht të paqarta për mua. Prej kohësh kam folur për nevojën e një hapi të tillë dhe kam bërë përpjekje t’i bind kolegët e mi në parlamentin ukrainas. Madje kam dorëzuar një projektligj. Tani, për shkak të luftës, ky proces është ngadalësuar, por do të bëj gjithçka që mundem për ta miratuar këtë dokument në të ardhmen”, ka thënë politikani ukrainas.

Deputeti Goncharenko e ka vizituar Kosovën gjatë periudhës së agresionit rus. Ai ka qenë zë pro Kosovës edhe në Këshillin e Evropës, derisa ishte deklaruar se "Kosova është Evropë".