Gazeta gjermane “Frankfurter Rundschau” ka shkruar për ngërçin politik në Kosovë.
Në artikullin e saj thuhet se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, partia e së cilit mori shumicën parlamentare, nuk e ka gatishmërinë për të bërë kompromis. Kjo pasi, VV-ja nuk po e zëvendëson kandidaten për kryetare të Parlamentit, Albulena Haxhiu.
Sipas “Frankfurter Rundschau”, në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosja (VV) e kryeministrit aktual, Albin Kurti, fitoi 42% të votave, duke u bërë forca më e madhe në parlament, por pa arritur shumicën absolute. Opozita e sheh kandidaten e VV-së për postin e kryetares së parlamentit, Albulena Haxhia, si të papërshtatshme për shkak të qëndrimeve të saj polarizuese. Ata kërkojnë një propozim tjetër.
“Megjithatë, Kurti nuk ka treguar gatishmëri për kompromis, dhe deri tani, VV-ja nuk ka treguar asnjë sinjal për ta zëvendësuar Haxhiun, e cila ka dështuar të marrë shumicën e nevojshme të 61 votave në përpjekjet e mëparshme”, thuhet tutje në artikull.
Tutje theksohet se Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë deputetëve një afat deri më 28 korrik për të formuar parlamentin. Për të shpallur zgjedhje të parakohshme, parlamenti duhet fillimisht të konstituohet. Si pasojë e këtij bllokimi, ndërkohë që inflacioni është rritur me 4.3% në qershor, një shifër që nuk është regjistruar prej dy vitesh, nuk janë miratuar as projektligje të reja, as marrëveshje ndërkombëtare, as buxhet për fondet që duhen për të financuar projekte dhe as pozita drejtuese të institucioneve shtetërore nuk janë plotësuar.
Për më tepër, edhe fondet milionëshe të BE-së nuk mund të aplikohen dhe të miratohen pa miratimin e parlamentit.