Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti synon 60 për qind, Osmani i prin LDK-së

Vjosa Osmani - Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë dritën jeshile nga Lëvizja Vetëvendosje, që të garojë si kandidat për ta drejtuar qeverinë edhe në mandatin e ardhshëm. Kryetari i VV-së ka thënë se subjekti politik që përfaqëson synon 60 për qind të votave në zgjedhjet e 7 qershorit. Ai i ka akuzuar oponentët, duke thënë se duan ta eliminojnë. E një prej listave të partive deri tash në opozitë do të udhëhiqet nga ish-presidentja Vjosa Osmani. Ajo u rikthye në krye të listës së LDK-së nga e cila u largua gjashtë vjet më parë për t’u bashkuar në rrugëtimin politik me Kurtin

Lëvizja Vetëvendosje e ka nominuar si kandidat për kryeministër kryetarin e saj, Albin Kurti. Menjëherë pas këtij vendimi të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, Kurti që synon mandatin e katërt, nga të cilët vetëm njërin e ka çuar deri në fund, ka thënë se subjekti politik që përfaqëson synon 60 për qind të votave.

“Nesër bëhen katër javë para zgjedhjeve të reja e të jashtëzakonshme, të cilat vijnë saktësisht pesë muaj pas zgjedhjeve të kaluara, kur ne shënuam 51% të votave. Ato erdhën 10 muaj pas zgjedhjeve ku fituam 42% të votave. Pra, nga shkurti deri në dhjetor u rritëm për 9%, dhe nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor, atëherë mund të prekim edhe 60%. Nëse punojmë ashtu siç dimë ne, me sinqeritet dhe përkushtim, edhe kjo është e mundur”, ka thënë ai.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vetëvendosja shënoi rezultat historik në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke fituar mbi 51 për qind të votave. Por, zgjedhjet e reja u shpallën shkaku i mungesës së marrëveshjes për presidentin, që kërkon pjesëmarrjen në votim të së paku 80 deputetëve, numër që do të mbërrihej me përqindjen e synuar nga Kurti dhe me ligjvënësit e komuniteteve joserbe.

Por, Kurti ka thënë se edhe pas zgjedhjeve, do të kërkohet bashkëpunim për president apartiak.

“Për një president të ri jashtë skenës politike me integritete e kompetencë, me vlera kombëtare dhe ata e dinë që kjo ofertë e jona është shprehje e hapjes tonë që është tipike për një subjekt demokratik, por ata nuk e dinë që edhe populli e di të vërtetën”, ka thënë ai.

Kryetari i Vetëvendosjes ka akuzuar opozitën si fajtore edhe për zgjedhjet e dhjetorit e edhe për ato që do të mbahen më 7 qershor. Për to ka thënë se edhe janë bërë bllok e edhe i kanë krijuar bllokadat. Kurti i akuzoi se duan edhe ta eliminojnë.

“Opozita po e kërkon pushtetin duke bllokuar progresin. Kjo është të kërkosh të bëhesh kapiten anijes duke ia shpuar fundin asaj. Ata refuzuar kryetaren e parlamentit Albulena Haxhiun, refuzuan të votojnë për Glauk Konjufcën, njeriun e dytë më të votuar në historinë e Kosovë, kuptohet për mua refuzojnë gjithmonë, nuk duan të më shohin me sy e dalin në televizionet e tyre për të thënë se si unë u dashka të eliminohem me çdo mjet”, ka deklaruar Kurti.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti ka folur edhe për qeverisjen e tij. Ai i është referuar rritjes së buxhetit nga 2.4 në 4 miliardë euro, si dhe vendimeve si ai për rritjen e pagës minimale, për programet e punësimit e për shtesat për fëmijë.

Abdixhiku kandidat për kryeministër, Osmani pretendon Presidencën

Gjashtë vjet pas shkarkimit nga pozitat në Lidhjen Demokratike, Vjosa Osmani u kthye si më e fuqishmja në ofertën zgjedhore të këtij subjekti politik.  Pos që do të garojë për postin e presidentes, ajo edhe do t’i prijë listës së LDK-së, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm i cili në qershor të 2020-s nuk e vlerësoi as për anëtare të Kryesisë.

“Kam propozuar që Lidhja Demokratike e Kosovës të garojë me presidenten Vjosa Osmani si kandidate për presidente të Republikës dhe njëkohësisht bartëse të listës sonë zgjedhore dhe me mua kryetarin e LDK-së si kandidat nga LDK-ja për kryeministër të Republikës. Ky propozim është mbështetur dhe votuar në plotni nga kryesia e LDK-së. Sot këtë propozim po e shtroj edhe para jush para Këshillit të Përgjithshëm në emër të kryesisë së LDK-së, për miratim përfundimtar”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Osmani në listë do të jetë vetë e 20-a.

Pas saj në renditje do të jetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, që sërish është nominuar kandidat për kryeministër.

Miratimin për të dy e dha Këshilli i Përgjithshëm, që nuk ishte kompakt në numër pavarësisht zotimit të Abdixhikut se do t’i bashkojë të gjithë. Aty munguan disa nga figurat kyçe: ish-kryeministri Avdullah Hoti, ish-sekretari i partisë, Imri Ahmeti e personi i dytë më i votuar ne zgjedhjet e kaluara, Hykmete Bajrami.

Jashtë sallës, Abdixhiku u shpreh se këta emra nuk do t’i mungojnë listës zgjedhore.

“Jo në të gjitha takimet mund të marrin pjesë të gjithë njerëzit e LDK-së, por ata janë pjesë e listës”, ka thënë Abdixhiku.

Para anëtarësisë së LDK-së, Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja e bashkuar është ilaçi për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova. Shkaktar për këtë e edhe për një palë zgjedhje të tjera e la kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të cilin ka thënë se donte parti-shtet.

“Nëse kërkohej marrëveshje politike, ne ishim të gatshëm për marrëveshje politike. Nëse kërkohej stabilitet institucional, ne ishim të gatshëm të kontribuonim për stabilitet institucional. Nëse kërkoheshin emra, ju jepnim emra. Nëse kërkohej nënshkrime, jepnim nënshkrime. Dikur nisen të kërkojnë data, në ngjyra, nënshkrime të ndryshme, çfarë t’u bëjmë këtyre sinqerisht”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se oferta e plotë e LDK-së edhe për kandidatin për kryeministër edhe për atë për president nuk bie ndesh me kritikat e tij ndaj Vetëvendosjes që “synonte t’i kapte dy postet”.

“Për herë të parë në historinë e Kosovës nuk po shkon në zgjedhje për Qeveri por po shkojmë për shkak të paaftësisë për të zgjedhur presidentin. Pra kur kemi problem për president si ka kuptim të garojmë pa e ditur populli i Kosovës se kush është kandidat për president për këtë garë”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka shtuar se pritjet për rezultatin i ka racionale.  “Sa ta ka vendosë qytetari i Republikës”, u shpreh ai.

Ndërsa ka ironizuar me synimin e LVV-së për 60 për qind. “He he, ato janë dëshira”, ka thënë Abdixhiku.

E disa orë pas zyrtarizimit të “bashkimit”, ish-presidentja Vjosa Osmani është shprehur se qytetarët ishin ata që e bindën për t’u kthyer në listën e LDK-së. Në një video të publikuar në Facebook, ajo ka nxjerrë mesazhet e qytetarëve që i bënin thirrje për t’u kthyer në LDK.

“Për muaj të tërë kam ecur nëpër çdo cep të Kosovës. Jam mirëpritur në shtëpitë tuaja. Kam dëgjuar hallet tuaja. Kam parë zhgënjimet në sytë e njerëzve të ndershëm. Por mbi të gjitha kam parë një gjë që ende nuk është shuar: shpresën. Dhe kudo në çdo fshat e qytet, çdo tavolinë e çdo shesh ju më folët me një zë”, ka thënë Osmani para se në video të lëshoheshin mesazhet e qytetarëve për kthim në LDK. “Ju dëgjova, prandaj po bashkohemi”.

“Le t’i bashkojmë zemrat dhe ëndrrat. Le të bashkohemi të gjithë”, ka përfunduar Osmani.

Të nominuarit e LDK-së, Abdixhiku e Osmani, të dielën do t’u adresohen qytetarëve.

Osmani ishte larguar nga LDK-ja më 2019 pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1. Ajo në zgjedhjet e 2021-s, garoi në koalicion me Kurtin dhe VV-në, ndërsa më pas formoi edhe subjektin e saj politik, Lista Guxo. Pas fitores së zgjedhjeve, duke u bërë personi më i votuar deri atë kohë, Osmani u zgjodh presidente e Kosovës dhe e ushtroi mandatin deri në përfundim, në prillin e sivjetmë. Mosmbështetja për një mandat të dytë nga LVV-ja dhe mosgjetja e një emri për president çoi vendin në zgjedhje të reja.

Tani ajo u rikthye në listën e LDK-së me disa emra të tjerë. Në ditët e fundit, Osmani ka konfirmuar se pjesë e rrugëtimit të saj politik do të jenë figura si: Fahrije Hoti, aktiviste e njohur për përfaqësimin e grave të Krushës së Madhe pas luftës së Kosovës si dhe ish-deputetet e Guxo-së, Jeta Statovci e Albena Reshitaj.

Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve në Kosovë, pas atyre të shkurtit dhe dhjetorit 2025.