Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti akuzon 6 deputetët e LDK-së: Duan të shkojmë sërish në zgjedhje, marrëveshja qëndron

Albin kurti

Foto: Driton Paçarada

(Lajm i përditësuar) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të propozuar Bekim Sejdiun kandidat për president është valide. 

Por, ai ka thënë se pas ngjarjeve të së martës, ku gjashtë deputetë të LDK-së kanë thënë se nuk e përkrahin këtë kandidaturë, ai duhet të takohet sërish me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku por edhe me Kryesinë e Vetëvendosjes. 

Kurti ka thënë se në Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes mbështetja ishte e plotë për Bekim Sejdun. 

“Natyrisht kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të orëve të fundit, ku në njërën anë ishte shpresëdhënës qëndrimi i Kryesisë së LDK-së për mbështetje të plotë për profesor Bekim Sejdiun si emër për president që u pajtuam dy subjektet. Por, më pas patëm njoftimin negativ që gjashtë deputetë nga 18 sa i ka LDK-ja nuk e mbështesin profesor Bekim Sejdiun për president të Republikës së Kosovës. Është situatë e re që kërkon që në njërën anë të takohemi përsëri me kreytarin e LDK-së por edhe me Kryesinë e Vetëvendosjes”, tha Kurti.

Kreu i VV-së ka thënë se sjellja e deputetëve Hykmete Bajramit, Avdullah Hotit, Arben Gashit, Kujtim Shalës, Janina Ymerit dhe Armend Zemajt është e papërgjegjshme, absurde dhe e dëmshme. 

Edhe Kurti sërish: Konstituimi nuk i shmang zgjedhjet Arbëri Kurti sërish: Konstituimi nuk i shmang zgjedhjet

“Pas tri parë zgjedhjeve duket se po ka dëshirë, vullnet e interes të shkojmë edhe në zgjedhjet e katërta për më pak se dy vjet”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se marrëveshja politike ishte arritur me shumë mund dhe falënderoi ekipin negociator të LDK-së. 

Kurti ka thënë se në rrethanat e reja profesor Bekim Sejdiu i ka 74 vota. 

“Për mua si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe si kryeministër në detyrë i Kosovës, por edhe udhëheqës i ekipit negociator me LDK-në, marrëveshja politike e arritur është e vlefshme. Ajo qëndron. Është marrëveshje e arritur me shumë mund, e drejtë, e mirë e vërtetë e dobishme. Por, çfarë të bëjmë që kishim këtë veprim negativ të gjashtë deputetëve”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se për Vetëvendosjen kandidat për president është profesor Bekim Sejdiu. 

Sa i përket thirrjes se seancës për konstituim të Kuvendit, Kurti ka thënë se i takon deputetit më të vjetër Avni Dehari ta bëjë këtë. Por, shtoi se Dehari ka thënë se e thërret seancën për konstituim por kur e sheh se s’ka përpjekje për ta tensionuar edhe më tej situatën e për të parandaluar stabilitetin institucional. 

“Ata që po nxitohen për konstituim të Kuvendit, në kohën kur nuk mbështetshin zgjedhjen e presidentit, po duan përsëri zgjedhje që janë thellësisht të panevojshme në njërën anë, por në anën tjetër mbase duan edhe përsëritje të incidenteve”, tha Kurti. 

I pyetur nëse do të takohet me Aleancën që ka shtatë deputetë, Kurti ka thënë se beson se duhet takohet. Por, ai ka thënë se s’ka kuptim që Aleanca vendos kushte e refuzon takim. Ai ka thënë se nuk mund t’i imponohen kushte një subjekti politik e të refuzosh të takosh. Aleanca ka vendosur gjashtë kushte për ta përkrahur zgjedhjen e presidentit. Ndër to është pranimi i gazit amerikan. 

“Besoj se nuk ka qytetar të Kosovës që nuk e ka kuptuar në këtë mbrëmje që ka disa njerëz që me aq lehtësi një marrëveshjeje të arritur me aq shumë mund i thonë jo e nuk e qajnë kokën që kjo shpie në zgjedhje të reja. Pavarësisht kësaj moskokëqarje, jemi shumë të përgjegjshëm të insistojmë në validitetin e marrëveshjes politike për kandidatin e profesor Bekim Sejdiut për president”, tha Kurti.

Të hënën u njoftua për marrëveshjen e arritur mes LDK-së e VV-së për propozimin e Bekim Sejdiut si kandidat për president.

Edhe Kurti: Marrëveshja për Sejdiun mbetet në fuqi, synojmë t’i shmangim zgjedhjet Arbëri Kurti: Marrëveshja për Sejdiun mbetet në fuqi, synojmë t’i shmangim zgjedhjet

Të martën gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta votojnë Sejdiun. 


Mblidhet Grupi Parlamentar i VV-së, Kurti thotë se do të deklarohet pas takimit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të prononcohet pas mbledhjes së Grupit Parlamentar. 

GP i Vetëvendosjes u mblodh pasi që nga Lidhja Demokratike e Kosovës u tha se gjashtë deputetë nuk do ta votojnë kandidatin e propozuar për president, Bekim Sejdiun. 

“Vullnetin për zgjedhjen e presidentit e kemi shndërruar në marrëveshje me LDK-në me emrin e përveçëm të profesor Bekim Sejdiut. Mbrëmë kemi pasur takim në VV me kryesinë, tash po shkoj në mbledhjen e Grupit Parlamentar e më pas do të mund të ju drejtohem”, tha Kurti, transmeton “Ekonomia Online”. 

E shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur rreth vendimit të gjashtë deputetëve të LDK-së që deklaruan se s’do ta mbështesin Bekim Sejdiun për president.

“T’i thuhet jo një propozimi të përbashkët, që ka për qëllim zhbllokimin e institucioneve, nuk është një vendim i duhur dhe nuk është në interes të qytetarëve. I dini qëndrimet e PDK-së dhe të Aleancës. Megjithatë, unë pres që çdo deputet të jetë në nivelin e përgjegjësive që ka”, tha Nagavci. 

Të hënën u njoftua për marrëveshjen e arritur mes LDK-së e VV-së për propozimin e Bekim Sejdiut si kandidat për president. 

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, eksponentë të LVV-së kanë deklaruar se i kanë 62 vota për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Me 12 votat e LDK-së, ky numër do të arrinte në 74 deputetë.

Edhe Kurti paralajmëron takime të reja me LDK-në Arbëri Kurti paralajmëron takime të reja me LDK-në

Kjo nuk mjafton për zgjedhjen e presidentit.

Në dy raundet e para nevojiten të paktën 80 vota për zgjedhjen e presidentit. Në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, nëse në dy raundet paraprake në votim kanë marrë pjesë së paku 80 deputetë.