Arbëri

Gara mes politikanëve në fushën e blertë

Në sallë të Kuvendit, deputetë të LVV-së dhe ata të LDK-së për 20 herë radhazi nuk patën pajtim për rrugën drejt konstituimit të legjislaturës së re. Por në fushë të futbollit, puna qëndroi ndryshe. Ekipi i LVV-së shprehu gatishmëri t’i lëshojë pe LDK-së në ndeshje, për koalicion në politikë. E pas 30 minutash përballje nën mot me shi, fituese doli LDK-ja

Pa kostumet e zakonshme dhe më të relaksuar sesa nëpër seanca Kuvendi, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike, u treguan rivalë diku tjetër. Ata i matën forcat në fushën e gjelbër.

Për këtë nuk iu desh të prisnin asnjë afat 48-orësh për takim, por iu mjaftoi veç një fushë futbolli dhe një top.

Ani se në Kuvend s’e patën kuorumin për votimin e Komisionit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, në fushën e futbollit formacionet i kishin të gatshme.

E në këmbim të një koalicioni politik, deputeti i LVV-së, Dimal Basha, u shpreh i gatshëm që LDK-së t’ia falë fitoren në lojë futbolli.

“Do të jetë një lojë miqësore normal, sepse këtu jemi për futboll. Sporti i bashkon dhe kjo ndoshta e ndryshon mendjen e LDK-së dhe bëjnë koalicion”, tha para ndeshjes, deputeti i partisë që me dy letra i bëri ftesë koalicioni LDK-së, por mori përgjigje negative. “Nëse kanë mbetë për këto pikë të kësaj loje, ne nuk pritojmë edhe me lëshu lojën edhe me bo një koalicion, për shkak se mendoj që shteti duhet me dalë edhe para kësaj loje”.

Por deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, nuk dha koment mbi mundësinë e koalicionit me partinë fituese. Tha se me këtë ndeshje futbolli synohet të përcillet mesazhi për bashkëpunim e paqe.

“Jemi njerëz, e duam këtë vend dhe dëshirojmë që të japim edhe mesazhe bashkëpunimi, paqe, sidomos këtu kur është një ngërç politik edhe skena politike duket që është e ndarë”, ka thënë Zemaj.

Për 30 minuta dhe në mot me shi, deputetët ndërmorën aksione sporadike në atë që ishte më shumë ndeshje simbolike sesa garë. Deputeti Zemaj, kujdesej që gjatë lojës edhe t’u jepte udhëzime prej trajneri bashkëlojtarëve.

Në fund, LDK-ja e tij e fitoi përballjen me rezultatin 4 me 2.

Humbjen, deputeti i LVV-së e ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, e arsyetoi me faktin që në ekipin e tij pati lojtarë që nuk merren rregullisht me aktivitete fizike.

“Ne shumica jemi anëtarë të Qeverisë, ministra, zëvendësministra që pak po merremi me aktivitet fizik, dhe realisht ndërsa pjesa tjetër kishte djem të rinj, me gjasë disa edhe futbollistë dhe rezultati është ky”, ka thënë Peci.

Por edhe në fushë të futbollit, deputetët shprehën kritika.

“Në fakt ne e patëm një kërkesë që me iu ndryshu emri tek ‘Match Plani’ aty, me qenë Qeveria në detyrë, jo vetëm Qeveria. Por, mirë në përgjithësi shkoi mirë, lojë interesante. Realisht si në fushë, si në qeverisje, njëjtë pak a shumë. Disa i kishin të mirë, por arritëm me i mposhtë”, ka thënë Donat Lushaku, një zyrtar i LDK-së.

E për që nuk arriti të përfaqësohet në fushë me ekipin e qeverisë në detyrë, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, kritikë i shprehu Ambasadës Gjermane, si organizatore e turnamentit.

“Kjo po tregon se gjermanët nuk janë të mirë në planifikim. E kanë bërë turnirin me një mot shumë të keq. Moti anglez, e planifikimi gjerman”, tha në humor Bislimi.

Ndonëse është numër dy në Qeveri, ai djersiti fanellën për tjetërkë.

“Sot nuk jam me ekipin e Qeverisë. E kam tradhtu Qeverinë. Jam me ish-studentë të Zagrebit. Ekipi im e ka emrin ‘Zagrebi’ dhe shpresoj që ambasadat ekipi im, t’i eliminojmë që në fillim”, tha Bislimi.

Ballafaqim forcash në futboll patën edhe ekipet e Ambasadës së Gjermanisë dhe të Britanisë së Madhe në Kosovë.

“Me gjithë motin, Besnik Bislimi është këtu, kolegët britanikë e ata nga Ambasada gjermane në Tiranë po ashtu, të gjithë janë nxehur për të luajtur futboll sot dhe nuk ka kompromise këtu sikurse në politikë, ka vetëm fitues dhe humbës”, tha ambasadori gjerman, Joern Rohde.

E, ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, i tregoi synimet para ndeshjes.

“Nëse e fitojmë lojën e parë do të jemi shumë të lumtur, por nëse e fitojmë gjithë ndeshjen do të jemi edhe më të lumtur”, tha ai.

Në këtë turne futbolli morën pjesë 10 ekipe. Në finale shkuan ekipi i Federatës së Veteranëve, që e mposhti në fund atë të Ambasadës së Gjermanisë.