Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se bashkëpunimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për çështjen e presidentit, shënon nisjen e një cikli të ri politik në Kosovë.
Sipas tij, pas këtij bashkëpunimi ka ardhur koha që bashkëpunimi politik të mos jetë më arsye për demonizim të kundërshtarëve.
“A është ky fundi i tranzicionit dhe fillimi i një cikli të ri politik në Kosovë? Unë besoj se po. Muajt në vijim do ta dëshmojnë. Pas bashkëpunimit të fundit formal mes LVV-së dhe PDK-së, ka ardhur koha që bashkëpunimi politik të mos jetë më arsye për demonizimin e kundërshtarëve. Rëndësi ka për çfarë bashkëpunojmë dhe çfarë sjellim për vendin. Tash është koha që qeverisja të matet me rezultate, e jo me arsyetime dhe fajësime të së kaluarës. Qytetarët presin zhvillim, siguri dhe shpresë për të ardhmen”, ka shkruar ai në Facebook të premten.
E Gashi ka pasur porosi edhe për partinë e tij. Ai ka thënë se LDK-ja s’duhet të ketë vija të kuqe të përhershme.
“Për LDK-në, kjo është koha për ta përcaktuar qartë rrugën e saj. Pa vija të kuqe të përhershme, por me parime të qarta. Të kaluarën nuk e harrojmë, por të ardhmen nuk duhet ta mbajmë peng të saj. Këtu fillon rilindja jonë: me më shumë besim, bashkim dhe një politikë moderne, që i përfaqëson qytetarët dhe u jep shpresë për të ardhmen. Koha është tash. Koha është për LDK-në”, ka përfunduar ai.
Gashi qe një prej gjashtë deputetëve të LDK-së që dolën kundër marrëveshjes që kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, e arriti me kryeministrin dhe kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për emrin e Bekim Sejdiut për president. Pa votat e këtyre gjashtë deputetëve, nuk përmbushej kushti prej 80 deputetësh që duhet të jenë në sallë për dy rundet e para të votimit. Ata kundërshtuan bashkëpunimin me VV-në.
Në ditën e fundit të afatit kushtetues, VV-ja dhe PDK-ja u dakorduan për emrin e Justina Shiroka-Pulës, që u bë presidente.