Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gashi: LDK-ja s’duhet të ndërtojë politikën e saj mbi vija të kuqe

Arben Gashi

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se partia e tij s’duhet të ketë vija të kuqe apo ekskluzivitete ndaj asnjë partie tjetër politike.

Në ditën kur 6 gushti u caktua për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Gashi ka thënë se në kohëra të tilla kërkohet “përgjegjësi shtetërore, vizion e lidership politik”.

“Pikërisht në kohë të tilla, LDK duhet ta marrë rolin që i takon si forcë udhëheqëse e qendrës së djathtë dhe bartëse e kulturës shtetformuese të Kosovës. Për ta ndryshuar Kosovën, së pari duhet ta definojmë qartë LDK-në. Duhet ta dimë se çfarë përfaqësojmë, cilat janë vlerat tona dhe çfarë modeli politik u ofrojmë qytetarëve. Na duhet një LDK moderne, përfaqësuese, meritokratike dhe autentike, e ndërtuar mbi besimin e brendshëm dhe mirëbesimin e qytetarëve. LDK nuk duhet të ndërtojë politikën e saj mbi vija të kuqe apo ekskluzivitete ndaj asnjë partie. Bashkëpunimi duhet të udhëhiqet nga interesi i Kosovës, programi politik, orientimi euroatlantik dhe nevoja për institucione të forta e funksionale. Kosova ka nevojë për një LDK të bashkuar, me identitet të qartë, me vetëbesim dhe me guxim për të udhëhequr. Vetëm një LDK e tillë mund ta rikthejë besimin e qytetarëve dhe ta udhëheqë Kosovën drejt zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit”, ka shkruar ai në Facebook.

Gashi ka qenë në grupin e deputetëve që kanë kërkuar Kuvend të partisë për largimin e kryetarit Lumir Abdixhiku pasi LDK-ja në zgjedhjet e 7 qershorit doli sërish e treta. Mbajtja e këtij Kuvendi u përdor si justifikim nga Abdixhiku për të pezulluar bisedimet e nisura me Lëvizjen Vetëvendosje për formim të institucioneve.