Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për marrëveshjen e arritur sot në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që kandidati për president të jetë Bekim Sejdiu.
Hamza ka thënë se “nuk e di a do t’i kenë numrat”.
Hamza në një prononcim për KosovaPress tha se VV-ja e LDK-ja matematikisht i kanë numrat për Sejdiun, por se a do të qëndrojnë të gjithë deputetët e tyre në sallë për këtë emër, është çështje e këtyre dy partive.
“Ata kanë negociuar që disa muaj. Kanë arritur marrëveshje, nuk e di a do t’i kenë numrat, matematikisht i kanë, por me qenë të gjithë prezentë dhe të votojnë është çështje e këtyre dy subjekteve. Nuk kemi ndonjë qëndrim (për kandidatin për president) për shkak se nuk është propozim i yni. E njohim z. Sejdiu, e njohim edhe angazhimin e tij në të kaluarën, kështu që nuk është figurë e panjohur për neve. Ata kanë negociuar, ka negociuar VV-ja me LDK-në dhe ne kemi deklaruar pozicionin tonë, pozicioni ynë ka qenë i qartë. Kemi fol për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, nuk ka qenë në tavolinë kjo temë dhe kemi deklaruar se ne qëndrojmë në opozitë dhe do ta luajmë rolin tonë si parti politike në opozitë përbrenda Kuvendit dhe normalisht se do të kemi edhe kritika edhe qëndrime të caktuara në raport me veprime të caktuara por do të kemi edhe alternativa dhe do të kemi edhe përkrahje për të gjitha iniciativat që janë në dobi dhe në interes të vendit tonë”, tha Hamza.
Ai po ashtu foli edhe për mundësinë e “rrjedhjes” së ndonjë vote për Sejdiun nga Grupi Parlamentar i PDK-së, duke thënë se nuk pret që të ketë devijime nga qëndrimet e partisë.
“Unë besoj dhe jam i sigurt në këtë se Grupi Parlamentar i PDK-së është unik, në këtë temë është komplet dhe nuk pres që dikush do të ketë devijim prej qëndrimeve që do t’i ketë Partia Demokratike e Kosovës. Sa i përket PDK-së, PDK-ja e ka qëndrimin e qartë se në krijimin e institucioneve nuk është pjesë, përjashtimisht kur është çështja te puna e nënkryetarit”, tha Hamza, raporton KosovaPress.
Sot, LVV dhe LDK u dakorduan për emrin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar.
Vazhdimi i seancës konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar aksionet politike për të kërkuar mbajtjen e seancës konstituive.
PDK-ja paralajmëron ankesë në Kushtetuese, thotë se Haxhiu s’ia dekretoi dy anëtarë në KQZ
Partia Demokratike e Kosovë i ka shkuar sot në zyrë ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiut, për ta dekretuar Rashit Qalajn si anëtar të kësaj partie në KQZ.
Kreu i kësaj partie, Bedri Hamza, për KosovaPress e ka konfirmuar se PDK-ja do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese pasi sipas tij, Haxhiu s’ia ka dekretuar edhe anëtarin e dytë, që sipas tij, i takon PDK-së në KQZ.
“Nëse e ka shkel dikush Kushtetutën, e ka shkelë ai që e ka shkelë. Anëtari ynë s’ka bë asnjë shkelje. Ne, përkundrazi, neve na takojnë dy anëtarë në KQZ dhe për këtë punë do ta referojmë rastin në Gjykatë Kushtetuese për mosdekretimin edhe të anëtarit të dytë nga radhët e PDK-së”, tha Hamza për KosovaPress.
Ai po ashtu foli edhe për mbështetjen që PDK-ja po ia jep organizimit të marshit të 12 shtatorit që bëhet nga platforma “Liria ka Emër”, ku konfirmoi se do të jenë në shesh për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
“PDK është në mbështetje të platformës ‘Liria ka Emër’ që e organizon marshin më 12 shtator dhe kur themi se jemi në mbështetje, sigurisht që ne do të jemi prezent në shesh për të kërkuar drejtësi dhe besojmë në drejtësi. Siç besojmë në drejtësi, besojmë edhe në pafajësinë e të gjithë liderëve tanë. Data po afrohet dhe pres që Kosova të festojë më datën 16 shtator”, tha Hamza.
Vendimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare në Hagë do të jepet më 16 shtator të këtij viti më fillim nga ora 10:00.