Ende pa funksionalizuar shërbimet kryesore, Fondi i Sigurimit Shëndetësor është “zhytur” në borxhe.
Borxhet që tashmë janë në pritje për t’u paguar kapin shumën prej 2.6 milionë eurosh. Të gjitha këto borxhe janë për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike, për sëmundjet që nuk trajtohen në Kosovë.
Siç ka mësuar KOHA, faturat dhe pretendimet e spitaleve e tejkalojnë për disa fish vlerën prej 2.6 milionë eurosh. Një burim ka thënë që borxhi është mes 10 e 15 milionë eurove, por në Fond kanë sqaruar që këto kërkesa ende nuk janë konfirmuar nga Komisioni për Brazime Financiare, andaj nuk dihet vlera e përgjithshme.
Shumica e pacientëve që nuk trajtohen në Kosovë gjejnë trajtim në spitalet turke.
Javën e kaluar KOHA ka rastisur në dy përfaqësues të një spitali. Ata u pritën nga zyrtarët e Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Para se të futen në objekt i thanë televizionit që “shpresojnë që numri i pacientëve kosovarë që trajtohen në spitalin e tyre të rritet”.
Por në Fond nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim kanë thënë që këta zyrtarë të këtij spitali kanë ardhur për t’i kërkuar borxhet.
Për 12 pacientë, brenda një viti, këtij spitali Kosova i detyrohet rreth 300 mijë euro.
“Me vendime nga Bordi Ekzekutiv për TMJIShP obligime janë rreth 2.6 milionë euro. Nëse është fjala për spitalin në fjalë, janë trajtuar 12 pacientë, ndërsa obligimet financiare ndaj tyre janë 282,850.0€”, thuhet në përgjigjen e Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Ligjërisht, Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk mund të zgjedhë spitalet që i paguan. Një gjë të tillë e bëjnë pacientët. Ky argument, sipas këtij institucioni, është i mjaftueshëm për të dëshmuar që mund ta presin në takim secilin përfaqësues të spitalit privat.
“Zyrtarët e Fondit nuk përzgjedhin institucionet ku do të trajtohen pacientët. Janë pacientët ata që përzgjedhin! Prandaj, nuk ka asnjë arsye që të refuzohet ftesa për takim zyrtar me asnjë nga institucionet shëndetësore. Nuk është në politikën e Fondit mbyllja ose refuzimi”, thuhet tutje në përgjigjen e Fondit.
Pas takimit, përfaqësuesit e spitalit privat iu drejtuan një zyre që ndërmjetëson dërgimin e pacientëve për në Turqi.
Zyrat e tilla janë të shumta në numër. Me përfaqësues të njërës nga to është takuar muajin e kaluar edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.