Përderisa menaxhmenti i kaluar thoshte që borxhi është rreth 2 milionë, u.d. drejtori aktual ka konfirmuar që është rreth 30 milionë euro. Detyrimet kaq të mëdha të këtij institucioni karshi spitaleve private, kryesisht ato në Turqi, kanë bërë që tashmë pacientëve kosovarë t’u refuzohet trajtimi. Në këto raste Kaquri ka deklaruar që nuk kanë si t’iu dalin në ndihmë qytetarëve
Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka ndërruar Bordin udhëheqës, ka shkarkuar ish-drejtorin pas një hulumtimi të gjatë të KOHËS, që dëshmonte shumë keqpërdorime në këtë institucion. Katër muaj pas, në një intervistë për KOHËN, ushtruesi i drejtorit të Fondit, Bujar Kaquri, ka deklaruar se problemet që i kanë identifikuar janë të mëdha.
Përderisa menaxhmenti i kaluar thoshte që borxhi është rreth 2 milionë, Kaquri ka konfirmuar që është rreth 30 milionë euro. Detyrimet kaq të mëdha të këtij institucioni karshi spitaleve private, kryesisht ato në Turqi, kanë bërë që tashmë pacientëve kosovarë t’u refuzohet trajtimi. Në këto raste Kaquri ka deklaruar që nuk kanë si t’u dalin në ndihmë qytetarëve.
Problemet kryesore në këtë institucion ka thënë që janë problemet që rrjedhin nga Udhëzimi Administrativ që e rregullon programin për trajtim jashtë institucioneve spitalore publike. Në këtë UA është një listë e patologjive që i kanë caktuar vetë mjekët që nuk mund t’i kryejnë në QKUK, por që vetë ata nuk e respektojnë duke e anashkaluar kur i referojnë pacientët për trajtim jashtë. Tjetër problem, sipas Kaqurit, është çmimorja e cila nuk është e reviduar. Ai shpreson në ndihmën e Qeverisë për shlyerjen e borxheve aktuale, ndërsa ka dhënë zotim që më nuk do të aprovohen trajtime jashtë vendit jashtëligjshëm, siç ka ndodhur në të kaluarën. Nga korriku, kur është shkarkuar menaxhmenti i kaluar, numri i referimeve të rasteve urgjente ka rënë për rreth 50 për qind.
KOHA: Ka disa muaj që jeni ushtrues detyre i Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Si ishte situata në këtë institucion?
Kaquri: Nga 20 korriku unë e kam marrë detyrën e ushtruesit të detyrës së drejtorit. Gjendjen në të cilën e kemi marrë nuk është e mirë aspak. Kemi një numër të madh të borxheve, numër të madh të kërkesave dhe mundësitë e realizimit të shlyerjes së borxheve të atyre kërkesave janë të vogla. Megjithatë, shpresojmë që me ndihmën e Qeverisë së Kosovës të arrijmë t’i kryejmë këto obligime që i kemi trashëguar.
KOHA: Cilat ishin problemet kryesore?
Kaquri: Borxhi ka qenë kryesor. Problematik tjetër ka qenë lëshimi i fletëzotimeve jashtë listës së patologjive, që është pjesë e Udhëzimit Administrativ që është 03-2017. Me marrjen e detyrës unë e kam dërguar një njoftim tek të gjithë drejtorët e klinikave që asnjë diagnozë që nuk është në listë tek UA-ja nuk do të aprovohet kur është fjala për rastet urgjente. Mirëpo edhe përkundër këtij fakti ka vazhduar lëshimi i mendimeve konsiliare, por të njëjtët janë njoftuar që nuk kemi mundësi ta tejkalojmë listën dhe ato kërkesa nuk do të aprovohen deri në plotësim-ndryshimin e listës.
KOHA: Si është e mundur që mjekët, ndonëse janë pyetur, të deklarohen për sëmundjet që nuk dinë t’i trajtojnë, janë deklaruar vetëm për disa e në anën tjetër edhe për ato që kanë thënë se dinë t’i trajtojnë i referojnë jashtë vendit?
Kaquri: Ndoshta këtë pyetje është më mirë me ua drejtu më shumë drejtorëve të klinikave apo kolegjiumeve konsiliare, të cilat referojnë X diagnozën për trajtim jashtë vendit.
KOHA: A i keni njoftuar mjekët që nuk do të trajtohen patologjitë që nuk janë në listë të sëmundjeve që janë deklaruar se nuk mund t’i trajtojnë dhe çfarë përgjigje keni marrë?
Kaquri: Po i kemi njoftuar me marrjen e detyrës. Jo nuk kemi marrë përgjigje. Ka vazhduar jo në mënyrën qysh ka qenë me herët, por ka vazhduar referimi edhe nëse disa nga diagnozat nuk janë pjesë e listës së Udhëzimit Administrativ.
KOHA: Por a është e padrejtë për pacientët të cilët nuk mund të marrin ndihmë nga shteti pse mjekët janë deklaruar që dinë t’i trajtojnë edhe sëmundjet që realisht nuk i trajtojnë?
Kaquri: Është obligim ndoshta edhe i administratës, ndoshta edhe i mjekëve të cilët i trajtojnë që me ju tregu qytetarëve që këto janë mundësitë ose këto janë kriteret që duhet të përfillen për përkrahje për trajtim jashtë vendit. Nuk është obligim i qytetarit dhe është e pamundur sidomos në raste kur dikush ka probleme me shëndetin që të jetë në gjendje që edhe të informohet për procedurat për përfitimin e ndihmës-përkrahjes financiare.
Ndoshta edhe është mangësi që qytetarët nuk janë të informuar dhe nuk arrijnë me përfitu, sepse nuk i përfillin si afatet, si procedurat, dhe e humbin mundësinë për këtë ndihmë.
KOHA: Çfarë ndodh me këta pacientë që nuk mund të marrin ndihmë për shkak të rregullave të paracaktuara?
Kaquri: Unë si u.d. drejtor i Fondit jam i detyruar t’i respektoj rregullat në fuqi, në rastin konkret Udhëzimin Administrativ i nxjerrë në vitin 2017, i ka ba procedurat të cilat duhet të aplikohen për përftimin e kësaj ndihme. Pse nuk është bërë ndryshimi i atij udhëzimi administrativ deri më sot ka vend për ankesa dhe moskënaqësi. Është fakt që duhet me e pranu që ne është dashtë me herët me ndryshua atë. Por përderisa është akt që e rregullon këtë fushë dhe i përcakton kriteret për përfitimin e kësaj ndihme, atëherë ne si institucione nuk kemi rrugë tjetër përveçqë t’i zbatojmë rregullat që janë në fuqi. Përndryshe, më herët, siç jeni në dijeni, ka pasur lëshim të këtyre kritereve dhe jemi në situatën të cilën jemi. Ne kemi trashëguar një borxh shumë të madh..
KOHA: Kur është kryer një hulumtim mbi institucionin që e udhëhiqni nuk është ditur borxhi real. Sot a e dini sa është borxhi ndaj spitaleve private?
Kaquri: Vlera e përafërt - me qenë se bëhet fjalë vetëm për fletëzotime, ku vlera e përafërt është e shënuar në profaturë, ndërsa shumë reale është kur pacienti të përfundojë trajtimin dhe të sjellë raportin financiar. Mirëpo vlera e përafërt është rreth 30 milionë euro, vlerë e cila është duke u raportuar rregullisht çdo muaj edhe në Ministrinë e Financave sipas legjislacionit në fuqi.
KOHA: Pra, raportimi ka filluar tash së voni?
Kaquri: Po, raportimi ka filluar prej gushtit. Më herët nuk është bërë një raportim i tillë. Një pjesë e madhe e borxheve nuk janë raportuar fare. Janë raportuar vetëm ato obligime të cilat kanë qenë me vendime. Mirëpo fletëzotimet konsiderohen si obligime kontingjente dhe në një të ardhme të afërt, varësisht nga ngjarjet që ndodhin ato shndërrohen në borxhe reale. Mirëpo vlera e përafërt e borxheve që Fondi ka në kuadër të Programit për Trajtim Jashtë institucioneve Publike sillet rreth 30 milionë euro.
KOHA: A mund të na sqaroni procedurat ligjore që një pacient të përfitojë nga kjo ndihmë?
Kaquri: Procedurat ligjore parashohin që rastet urgjente vijnë me dy profatura dhe aplikojnë në Fond. Pas verifikimit të dokumentacionit, bartet tek drejtori i Fondit që e nënshkruar fletëzotimin, përmes të cilit garantohet që do t’i mbulohen shpenzimet duke i respektuar kriteret e Udhëzimit Administrativ. Aty janë të përcaktuara kriteret, shuma e lejuar dhe të gjitha rregullat. Pasi të përfundojë pacienti trajtimin atëherë e sjell raportin final - atë financiar, së bashku me dokumentet përcjellëse ku specifikohen shërbimet që janë kryer dhe shuma finale. Këto procedohen tutje tek Bordi për Trajtim, i cili në bazë të evidencave dhe shkresave të lëndës e aprovon shumën për të cilën Fondi duhet të ekzekutojë pagesën. Kjo është procedura për rastet urgjente.
KOHA: Megjithatë, hulumtimi jonë ka dëshmuar që ka raste që në profaturë është caktuar shuma 50 mijë euro, por fatura finale ka ardhur në vlerë të 300 mijë eurove. Çfarë duhet të bëhet në këto raste?
Kaquri: Ajo është çështje e Bordit për Trajtim Jashtë Vendit, i cili e ka obligim që të verifikojë dokumentacionin dhe të aprovojë shumën për pagesë. Pas verifikimit të shkresave të lëndës, Bordi nxjerrë vendim, dhe ai vendim pastaj procedohet për pagesë dhe në fund procedohet pagesa nga ne, pra nga Fondi.
KOHA: E thatë që ka borxhe të mëdha ky institucion. A keni paralajmërime për padi ose refuzim të pacientëve nga ndonjë spital?
Kaquri: Raste të refuzimit të fletëzotimit kemi pasur kohëve të fundit. Raste të parashtrimit të padive për kthim të borxheve nuk kemi. Kemi njoftim nga spitalet që p.sh. ndaj X spitalit keni kaq borxhe, ndaj X spitalit kaq. Është një procedurë, një komision i barazimit që merret me barazimet financiare me institucionet private si brenda edhe jashtë vendit dhe ata bëjnë verifikimin e saktë për evidentimin e borxheve. Mirëpo shpresoj që edhe me përkrahjen e Qeverisë e edhe me ndihmën e Bordit drejtues, edhe të gjithë akterëve të përfshirë, të gjejmë rrugë e t’i kryejmë këto obligime shëndetësore si brenda edhe jashtë vendit.
KOHA: A janë të shpeshta rastet e refuzimit?
Kaquri: Nuk janë të shpeshta. Janë disa raste që janë ardhë dhe janë anku. Megjithatë, Fondi nuk ka marrëdhënie kontraktuale me spitalet private. Në bazë të Udhëzimit Administrativ pacienti vetë e zgjedh spitalin në të cilin do të trajtohet, meqenëse kategoria të cilën e mbulon këtë fushë është kategoria e subvencioneve dhe nuk kemi të drejtë të krijojmë marrëdhënie kontraktuale me institucionet shëndetësore.
KOHA: Por në rastin konkret kur pacienti është ankuar, çfarë ka bërë Fondi?
Kaquri: Asnjë mundësi ligjore apo mundësi tjetër nuk ka Fondi përveçse në një të ardhme të arrijë t’i kryejë obligimet dhe të vazhdojë trajtimi i pacientëve në ato spitale.
KOHA: Në rastin e pacientit konkret çfarë saktësisht ka bërë Fondi?
Kaquri: Nuk kemi asnjë mundësi.
KOHA: Pra, pacienti duhet të gjendet vetë?
Kaquri: Është komplet në përgjegjësinë e pacientit, sepse Fondi nuk ka asnjë mekanizëm. Është si me thanë i çarmatosur në këtë drejtim, sepse nuk ka ndonjë mundësi që t’i del në ndihmë këtij rasti konkret, meqenëse borxhet për secilin spital janë... siç e ceka borxhi sillet rreth 30 milionë euro e duhet me marrë parasysh që ndaj secilit spital kemi borxhe të konsiderueshme.
KOHA: Z.Kaquri, ju keni qenë edhe me herët pjesë e Fondit. A është diskutuar ndonjëherë se çfarë përgjegjësish duhet të këtë Fondi mbi pacientin pasi ta mearr fletëzotimin, pra a merr shteti ndonjë lloj përgjegjësie për pacientët që ua paguan trajtimin?
Kaquri: Në rastin konkret nuk merr përgjegjësi. E rrugës do të ishte që të kujdesemi për trajtimin e pacientëve tanë, duke marrë parasysh që ne mbulojmë një pjesë të shpenzimeve për shërimin të cilin e marrin. Por kjo është kategori e subvencioneve dhe Fondi e ka të pamundur të krijojë marrëdhënie kontraktuale me spitalet. Përderisa nuk kemi marrëdhënie kontraktuale, ne e kemi të pamundur t’u vemi kushte apo të kërkojmë nga X spitali respektimin e kritereve që ne i përcaktojmë. Në të ardhmen do të shihet mundësia që kjo mënyrë e ndihmës të ndryshohet dhe t’u ofrohet një ndihmë me e drejtë, më adekuate dhe mos të mbetet vetëm në mëshirën e spitalit se si duhet ta trajtojë pacientin. Dihet që shumat të cilat i shpenzon Fondi për mbulimin e këtyre sëmundjeve janë të larta, sidomos tek rastet e sëmundjeve të rënda tek fëmijët, si sëmundja e leukemisë, kancerit, shuma që jep shteti është e madhe. Përkundër shumës, me rëndësi është kujdesi që shteti duhet t’u ofrojë qytetarëve, sidomos kur diagnostikohen me sëmundje të rënda shteti gjithmonë duhet të jetë mbrapa tyre. Mirëpo jemi në situatën në të cilën jemi dhe duhet të tentojmë që të bëjmë më të mirën që t’u dalim në ndihmë këtyre pacientëve. Çka ne mund t’u garantojmë edhe pacientëve, edhe spitaleve ku do të trajtohen pacientët tash e tutje është që për çdo fletëzotim ose rast që e aprovojmë, do ta aprovojmë në bazë të mundësive tona buxhetore dhe nuk do të krijojmë borxhe jashtë mundësive buxhetore, siç e kemi trashëguar tash e që është shumë e lartë. Shpresojmë që do të gjejmë rrugë e do t’i mbulojmë këto obligime.
KOHA: A është ndryshuar Udhëzimi Administrativ?
Kaquri: Është në procedurë të ndryshimit edhe lista e patologjive. Do të ketë ndryshime në mënyrën si do të procedohen dhe tek lista e sëmundjeve. Mirëpo tek çmimoret e shërbimeve duhet të kemi kujdes tek përcaktimi i çmimeve. Por në plan legjislativ është ndryshimi i Udhëzimit Administrativ. Besoj që shpejt do të aprovohet.
KOHA: Prej korrikut, kur e ushtroni detyrën deri më 18 nëntor, sa pacientë kanë shkuar për trajtim jashtë vendit?
Kaquri: Tash e tutje do të respektohet radha e pagesave. Do të paguhen këto që i lëshojmë si fletëzotime dhe ato të rregullta sipas radhës.
KOHA: A ka rënie të fletëreferimeve muajve të fundit?
Kaquri: Ka rënie për rastet emergjente. Ka rënie për 40-50 për qind për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
KOHA: Pse ka ndodhur, për shkak që pas hulumtimit (vj.të KOHËS) është imponuar zbatimi i ligjit apo pse?
Kaquri: Ndoshta është edhe ajo, por nuk kemi fakte se cila është arseja e rënieve. Në bazë të të dhënave që i kemi, kërkesat për raste urgjente kanë rënë. Ndoshta është edhe ajo që unë si drejtor nuk aprovoj kërkesa që nuk janë pjesë e listës së patologjive që është në Udhëzim Administrativ.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.