Një udhëzim i vjetër administrativ, i pareviduar për më se 5 vjet, është baza e vetme ligjore që i rregullon pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë spitaleve publike.
Mangësitë e Udhëzimit Administrativ janë të mëdha. Kryesoret një aneks me patologjitë që nuk trajtohen në QKUK e në spitale publike si dhe çmimorja për secilin shërbim.
Ligjërisht, Fondi për Trajtim Jashtë Vendi nuk mund të paguajë për sëmundjet që nuk janë në këtë aneks. Ndërkaq, numri i pacientëve që vuajnë nga sëmundje të rënda e që nuk janë pjesë e listës, është i madh.

Ky fëmijë do të duhej të trajtohej me paratë e Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Fakti që sëmundja e tij as nuk trajtohet në Kosovë e as nuk është në listë për t’iu paguar shërimi jashtë Kosovës, ka nxitur familjen që të kërkojë para nga qytetarët.
“Familja e tij ka shumë nevojë për ndihmën tuaj që të mund ta transferojë atë në një spital më të përshtatur jashtë Kosovës”, shkruhet në të.
Edhe
Kaquri: Borxhi i Fondit, 30 milionë, kryesisht ndaj spitaleve në Turqi
Ka gjithashtu edhe qytetarë të tjerë që përballen me situata të këtilla. Fondi i Sigurimit Shëndetësor ua miraton aplikimin dhe u lëshon fletëzotime, ndonëse disa spitale nuk i pranojnë fare për trajtim.
Me të tilla situata është përballur ushtruesi i detyrës së Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Bujar Kaçuri. Prej korrikut, kur edhe e ka pranuar pozitën, ai thotë se ka pasur spitale që e kanë refuzuar trajtimin e pacientëve kosovarë.
“Nuk janë raste të shpeshta, janë 1 ose 2 raste të cilët kanë ardhë e janë anku. Megjithatë Fondi nuk ka marrëdhënie kontraktuale me asnjë spital”, tha Kaçuri.
Kur spitalet turke e kushtëzojnë pranimin e pacientëve të rinjë me pagesën e borxhit paraprak, pacientët mbesin pa zgjidhje. Kaquri thotë së Fondi, në të tilla situata, nuk ka fuqi të bëjë gjë.
Edhe
Spitalet turke refuzojnë garancitë e Kosovës, pacientëve u rrezikohet jeta
“Nuk kemi asnjë mundësi që ne si Fond ta ndihmojmë. Është komplet në përgjegjësinë e pacientit sepse Fondi nuk ka asnjë mekanizëm. Jemi komplet të çarmatosur sepse siç e ceka kemi 30 milionë euro borxh kështu që tek secili spital kemi borxhe”, shtoi Kaçuri.
KOHA në një seri të gjatë hulumtimesh, pati faktuar keqpërdorimet me paratë për shërimin e pacientëve jashtë vendit. Hulumtimet ndikuan që të ndërrohej bordi udhëheqës dhe të shkarkohej ish-drejtori.