Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka vlerësuar se qytetarët e Kosovës janë mësuar me situata kur mbesin pa energji elektrike, ujë apo shërbime të komunikimit, prandaj udhëzimet e Komisionit Evropian për përgatitjen e rezervave për 72 orët e para të një emergjence nuk paraqesin diçka të re për ta.
Duke komentuar thirrjen e BE-së drejtuar qytetarëve për t'u përgatitur për situata të mundshme krize, Palokaj ka thënë se këto rekomandime u drejtohen kryesisht qytetarëve të vendeve perëndimore, të cilët nuk kanë përvojë me luftën dhe ndërprerjen e shërbimeve jetike.
Sipas tij, përgatitja me ushqim, ujë të pijshëm, bateri, ndriçim dhe mjete të tjera për nevoja bazike është diçka e njohur për qytetarët e Kosovës.
“Kosova nuk ka pse ta marrë seriozisht sepse njerëzit në Kosovë janë mësuar dhe kjo është për njerëzit. Përndryshe shtetet serioze kanë rezerva të ushqimit, rezerva të naftës dhe rezerva shtetërore për raste emergjente dhe me siguri këtë e ka edhe Kosova, por sa i përket përgatitjes së qytetarëve, mendimi im personal dhe përvoja ime nga Kroacia gjatë kohës së luftës, mund të them se kjo nuk është asgjë e re. Qytetarët e Kosovës atë që kërkon Komisioni Evropian e konsiderojnë si diçka krejt normale dhe të përditshme dhe mund të habiten se pse kërkohet diçka e tillë, e cila për ta është shumë e logjikshme dhe e vetkuptueshme”, është shprehur ai të hënë në "tre8tre" të KTV-së.
Ndërkaq, drejtori i Emergjencave, Lulzim Fushtica, ka thënë se udhëzimet e Komisionit Evropian janë pjesë e një koncepti modern të gatishmërisë për emergjenca dhe nuk duhet të shkaktojnë panik.
Ai ka theksuar se rekomandime të ngjashme u janë dhënë edhe qytetarëve në SHBA, Kanada, Japoni dhe Meksikë, ndërsa në SHBA përgatitja rekomandohet për një periudhë prej dhjetë ditësh ose më shumë.
Sipas Fushticës, rreziqet që mund të shkaktojnë situata emergjente përfshijnë sulmet kibernetike, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe të sistemeve të komunikimit, si dhe probleme në furnizimin me produkte bazë.
“Mos të krijohet panik, duhet përgatitje në rast të ndonjë rreziku”, ka thënë ai, duke shtuar se qëllimi është që qytetarët të jenë të gatshëm për t'u përballur me rreziqe të mundshme.
Komisioni Evropian u ka bërë thirrje qytetarëve të vendeve anëtare që të sigurojnë rezerva të nevojshme për të përballuar të paktën 72 orët e para të një emergjence, pa u mbështetur menjëherë te ndihma e autoriteteve.
Rekomandimet u prezantuan më 3 nëntor 2026 nga komisionerja evropiane për Barazinë, Gatishmërinë dhe Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib. Sipas Komisionit, një situatë emergjente mund të shkaktojë ndërprerje të njëkohshme të energjisë elektrike, furnizimit me ujë, komunikimeve dhe zinxhirëve të furnizimit.