Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

FDH-ja: Dënimet ndaj kryerësve të krimeve të luftës të jenë më të qarta

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka kërkuar që dënimet për kryerësit e krimeve të luftës të jenë më të qarta dhe që për secilin veprim inkriminues të jepet dënimi e pastaj të jetë dënimi i unifikuar.

Duke komentuar rastin e dënimit me 13 vjet burgim të Dushko Arsiqit, FDH-ja ka thënë se në Kosovë po vendoset një praktikë që nuk specifikon veprimet e të pandehurve, por veprimet përgjithësohen.

“Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë konsideron se është duke u vendosur një praktikë që në aktgjykimet për krime lufte nuk specifikohen veprimet konkrete të të pandehurve, por ato përgjithësohen në veprimet e një grupi dhe krijohet bindja se një anëtar i grupit dënohet për veprimet inkriminuese të peronave tjerë. Kjo praktikë duhet ndërprerë dhe duhet arsyetuar secilin veprim inkriminues të të pandehurve dhe të jepet dënimi për secilin prej tyre veç e veç, e pastaj të jepet dënimi i unifikuar. Në këtë mënyrë publiku mund ta ketë shumë më të qartë se për cilat krime dënohet i pandehuri”, thuhet në një reagim të FDH-së.

Arsiqi u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 13 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile. Sipas gjykatës i pandehuri Dushko Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe gjatë periudhës janar - qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin, plaçkitjen, djegien e pronës, keqtrajtimin dhe vrasjen e civilëve shqiptarë në Prishtinë, e me theks të veçantë në keqtrajtim të Artan Krasniqit.

Sipas dëshmisë së Krasniqit, i pandehuri Arshiq ka marrë pjesë në keqtrajtimin fizik dhe psikik të tij më 20 prill të 1999-s në Butovc. Në ato momente dikush nga pjesëtarët e grupit të forcave serbe, pjesë e të cilit ka qenë edhe i pandehuri, kanë shtënë me armë të zjarrit në drejtim të Brahim Shalës i cili ndodhej dhjetëra metra larg të dëmtuarit dhe i cili ishte plagosur dhe më vonë është gjetur i vdekur.

“Përkundër kësaj gjykata e shpalli fajtor të pandehurin edhe për pjesëmarrje në dëbim, plaçkitje, djegie të pronës, keqtrajtim të civilëve dhe vrasje të civilëve të tjerë, duke u thirrur në shumës apo në veprimet të cilat i kanë kryer forcat serbe në rajonin e Prishtinës/Priština gjatë periudhës janar - qershor 1999 e për të cilat veprimet nuk janë administruar provat direkte të cilat mund të ndërlidhen me përgjegjësinë individuale të të pandehurit. Në shpalljen e aktgjykimit, veprimet konkrete inkriminuese të të pandehurit janë përmendur vetëm në lidhje me keqtrajtimin fizik the psikik të të dëmtuarit Artan Krasniqi”, thuhet në reagimin e FDH-së.

Edhe Dushko Arsiq dënohet me 13 vjet burgim për krimet lufte edhe në rigjykim Arbëri Dushko Arsiq dënohet me 13 vjet burgim për krimet lufte edhe në rigjykim

Arsiqi qe arrestuar më 8 dhjetor 2021. Më 2 nëntor të 2022-s ishte ngritur aktakuza. Që nga dita e arrestimit i pandehuri Arsiq ndodhet në paraburgim.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.