Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Edhe në rigjykim i akuzuari për krime lufte, Dushko Arsiq, dënohet me 13 vjet burgim

Dushko Arsiq

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 13 vjet burgim të akuzuarin për “Krime Lufte kundër popullsisë civile”, Dushko Arsiq.

Themelorja në Prishtinë më 2 shkurt 2024 e pati dënuar me 13 vjet burgim të akuzuarin Arsiq, por Gjykata e Apelit e pati kthyer rastin në rigjykim. Në të gjeturat e Apelit thuhet se në aktgjykim gjykata nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare dhe nuk ka vlerësuar në mënyrë të plotë provat dhe dëshmitë. Gjithashtu, nuk janë sqaruar kontradiktat në dëshmitë e paraqitura dhe nuk janë dhënë shpjegime të mjaftueshme për to.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dushko Arsiq ishte i akuzuar se ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K..

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

Aktakuza e bënte përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.

VIDEO:


Arsiq akuzohej se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15-vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.