Në rigjykimin kundër Dushko Arsiqit, i akuzuar për krime lufte për keqtrajtim, plaçkitje e dëbim të civilëve shqiptarë të Prishtinës me rrethinë, ka vazhduar dëshmitari i dëmtuar Artan Krasniqi. Ka thënë se e kujton të akuzuarin, pasi Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe e kishin keqtrajtuar atë, në moshën 15-vjeçare
Artan Krasniqi, i cili dëshmoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se asnjëherë nuk do t’i harrojë keqtrajtimet fizike dhe psikike që përjetoi në vitin 1999. Ai tregoi se fytyrën e të akuzuarit Dushko Arsiq e kujton shumë mirë, pasi ai në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, e kishin keqtrajtuar atë në moshën 15-vjeçare.
Dushko Arsiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se kishte marrë pjesë në plaçkitjen, dëbimin, keqtrajtimin e civilëve shqiptarë të Prishtinës me rrethinë.
Krasniqi tha se i akuzuari e kishte qëlluar viktimën Brahim Shala.
“Faktikisht ka qenë në gjendje të rëndë (Brahim Shala), i plagosur rëndë. Me sa më kujtohet më ka thënë mos më le këtu, unë e kam qu. Por edhe atë fjali mezi e ka thënë, sepse ka qenë në gjendje të rëndë”, ka thënë ai.
Dëshmitari tregoi se në ditën kritike kishte qenë afër vendit të quajtur te “Varrezat e maqedoncëve”, ku kishte parë një grup të armatosur serb, të pozicionuar në livadh.
“Kanë qenë të pandashëm. Dushko Arsiq me dy persona të tjerë. E kam parë. Jam shumë i sigurt. Afër rrugës kryesore kanë qenë, me armë të ndryshme kanë qenë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shpjeguar se si i akuzuari Arsiq dhe dy persona të tjerë kanë bërë thirrje ta rrahin atë.
“Kanë thanë mëshoni këtij sakatit. Përveç Draganit, Bobanit dhe të akuzuarit Dushko Arsiq që është në këtë sallë të tjerë nuk i kam njoftë aty, të tjerë pjesëmarrës nuk kam njohur aty. Kur jam qu në kambë i kam pa, vetëm këta i kam pa, të tjerë nuk i kam njohtë”, ka thënë ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 shkurt 2024 e ka dënuar me 13 vjet burg të akuzuarin Arsiq, por Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022 thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve.
Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, vrasjen dhe plagosjen e tyre.