Në gjykimin e dy ish-pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Momoir Pantiq dhe Zharko Zariq, dëshmitari Sadush Kaliqanaj ka thënë se Zariq e ka keqtrajtuar atë personalisht. Dëshmitari i tha gjykatës se kjo ndodhi pasi u ndalua nga pjesëtarët e uniformuar të policisë dhe i tha të akuzuarit Zariq se e njeh atë.
Dëshmitari Sadush Kaliqanaj në gjykimin e dy ish-pjesëtarëve të MPB-së të Serbisë deklaroi se i akuzuari për krime lufte Zharko Zariq e ka keqtrajtuar personalisht në vitin 1998.
Në këtë rast, kryeshefi i policisë për Istog Momir Pantiq dhe Zharko Zariq akuzohen për vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Istogut.
Dëshmitari Kaliqanaj shpjegoi si Zariqi e kishte goditur me tytë të armës kur ia kishte bërë të ditur se e njeh.
“Zharko Zariq, vetë i 10-ti më ka ndalu, më ka ndaluar rrëzë malit ku edhe ai banon aty në vendin e quajtur Dragiq, i cili ka zbritur nga traktori dhe ky ka fillu të na rrahë të gjithëve me automatik më ka shky n’gojë edhe me kondak të automatit më ka ra më shky në vetull diku rreth gjysmë ore që na kanë rrahur...”, tha Kaliqanaj.
Dëshmitari tha se në atë kohë Momir Pantiqi ishte kryeshef i policisë.
Për atë që ia bëri Zariqi, dëshmitari theksoi se e sheh përgjegjës edhe të akuzuarin Momir Pantiq, meqë pika e kontrollit ku u keqtrajtua, sipas Kaliqanajt, nuk do të vendosej fare pa miratimin e Pantiqit.
“Po të thoshte ky, nuk do të vendosej fare ose s’e kishte përkrahur Zharkon në ato momente”, deklaroi Kaliqanaj.
Pantiqi e pyeti dëshmitarin se pse nuk paraqiti ankesë tek ai për atë që ia bënë policët, meqë tha se ka larguar edhe policë nga puna për keqtrajtim të shqiptarëve.
Por dëshmitari tha se ankesa kundër policëve në kohën e luftës ishte e pakuptimtë.
“Si me shkru ni letër e me gjujtë n’ujë”, deklaroi Kaliqanaj.
I pyetur nga avokati Millosh Deleviq se në çfarë mënyre e ka mësuar se Pantiq ishte kryeshef i forcave të policisë serbe për Istog, ai u përgjigj se ka jetuar në Cërcë, andaj këtë e ka dëgjuar nga të tjerët.
Të pandehurit akuzohen se kanë marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare nga shtëpitë e tyre në Komunën e Istogut, po ashtu kanë marrë pjesë në plaçkitje, djegie të rreth 5 mijë shtëpive, shkatërrimin e pronave, si dhe në vrasjen e 260 personave, prej të cilëve 19 janë fëmijë.
Prokuroria Speciale në aktakuzë e bën përgjegjës Pantiqin për veprimet e policisë në Istog, përfshirë masakrat si ajo e Dubravës dhe e Saradranit.
Të dy të akuzuarit i kanë mohuar akuzat në shqyrtim fillestar.