Arbëri

Dëshmitari Bajrami identifikon Llazoviqin si njëri prej atyre që torturuan popullatën civile

I akuzuari për krime lufte në Panorc të Malishevës, Sërgjan Llazoviq, është përballur të hënën në gjykatë më dëshminë e një banori të këtij fshati. Zeqir Bajrami ka dëshmuar se ai dhe qindra shqiptarë të tjerë ishin zënë rob në shtator të vitit 1998, ku ishin rrahur e torturuar në forma të ndryshme

Zeqir Bajrami dëshmoi të hënën në gjykimin kundër Sërgjan Llazoviqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatin Panorc të Malishevës.

Dëshmitari konfirmoi para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë se i akuzuari Llazoviq, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, e torturuan atë dhe shqiptarë të tjerë.

“Na kemi qenë të ulun tanë, durt na kanë thanë me lanë prapa kokës. Këta janë sillë rrethit me armë të drejtuar nesh. Ky mu kujtu si fytyrë kur e pashë. Aty për aty ska bo kurgjo, por ka ndejt për mi neve. Ka pasë edhe kamera, por të kujt kanë qenë nuk e di”, ka rrëfyer Bajrami. 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, nga 3 deri më 5 shtator 1998, në fshatin Panorc, Lazoviqi dhe pjesëtarë të tjerë të forcave serbe arrestuan, ndaluan e torturuan rreth 500 civilë shqiptarë, mes tyre edhe Bajramin që është ftuar si dëshmitar.

“Kur kemi shku në shkollë, aty na kanë nda sipas mendjes së tyre. E kanë pasë dhomën ku me i rreh. Më kanë kap për krahu zhag dhe si më ka kap për tesha, më ka ngreh zhag dhe më ka mshu boks në sy dhe ma nuk kam parë. Më kanë goditur me shkelma, me grushte”, ka treguar dëshmitari.  

Ai tha se pjesëtarët serbë ishin të uniformuar dhe në kokë mbanin shami. Sipas tij, serbët i detyruan të bëjnë edhe gjeste të padëshirueshme.

“Ka pasë me uniforma, nuk kanë pasë maska po shamia. Shamiat i kanë pasë të vendosura në kokë. Prej shkolle na kanë qit e na kanë bo krejtve bashkë. Kur na kanë qit jashtë, ka qenë ky çka është këtu (për të akuzuarin), ky më kujtohet fort mirë si fytyrë. Na kanë shti mi qu tre gishtat përpjetë, këta kanë qenë me armë”, ka theksuar Bajrami.

Dëshmitari tha se forcat serbe i zunë në mal, ku kishin ikur për t’i shpëtuar granatimit të shtëpive të fshatit. Aty u ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët.

“Jemi kon tu nejt në shtëpia, këta kanë ardhë ushtria dhe policia serbe nga fshati Valjanë kanë gjuajtë me granata. Kur kanë gjuajtë me granata, kemi dalë nga shtëpitë, nuk kemi ditë ku me shku dhe kemi shku në mal jashtë fshatit. Kanë fillu me ardhë policia, ushtria çka kanë qenë ata, forcat e tyne poshtë malit. Kanë qenë për mbi 500, sa kemi qenë na. e në pjesën tjetër kanë qenë më shumë”. 

I pandehuri Sërgjan Lazoviq në seancën e shqyrtimit fillestar u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte. 

Sipas prokurorisë, forcat serbe pasi dëbuan popullatën civile i dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit Panorc.