Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Sërgjan Lazoviqit, të akuzuar për krime lufte.
Lazoviq në shkurt sivjet ishte dënuar me 12 vjet e gjysmë burgim për krime lufte në Panorc të Malishevës. Ai akuzohej se si pjesëtar i xhandarmërisë serbe kishte kryer keqtrajtim të rreth 500 civilëve, me qëllim të dëbimit dhe spastrimit etnik të popullsisë shqiptare.
Në një njoftim për media të premten, Apeli ka konfirmuar se e ka anuluar aktgjykimin e Themelores në Prishtinë. Në arsyetim, Apeli ka thënë se aktgjykimi i Themelores ka pasur shkelje esenciale.
“Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, ndonëse gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte administruar një numër të konsiderueshëm provash materiale, nuk i ka trajtuar fare ato në arsyetimin e aktgjykimit, nuk ka bërë vlerësimin e tyre, nuk ka dhënë arsye lidhur me vlerën e tyre provuese dhe nuk ka nxjerrë përfundime për rëndësinë e tyre në vërtetimin e gjendjes faktike. Veçanërisht, nuk ka trajtuar raportin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe dy raportet e ekspertëve të huaj që lidhen drejtpërdrejt me identifikimin e të akuzuarit, duke mos dhënë asnjë arsye nëse gjetjet e tyre janë pranuar apo refuzuar dhe mbi çfarë baze”, thuhet në njoftim.
Ndaj Lazoviqit aktakuza ishte ngritur nga Prokuroria Speciale më 19 nëntor 2024. Ai akuzohej për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në disa fshatra të Komunës së Malishevës.
-
Pjesëtari i xhandarmërisë serbe dënohet me 12 vjet e 6 muaj burgim për krime lufte
-
Rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime lufte, Millorad Gjokoviq
-
Dëshmitari Bajrami identifikon Llazoviqin si njëri prej atyre që torturuan popullatën civile
-
Lavdërohet Apeli për vendimet që lidhen me krimet e luftës
-
Aktakuzë ndaj 20 personave për krime lufte në Gjakovë, i përfshirë edhe Radoiçiqi