Është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Milojko Gjorgjeviq, i akuzuar për krime lufte në Zveçan.
Mbrojtja e të pandehurit Gjorgjeviq, avokati Predrag Milkoviq kërkoi të shtyhet seanca për shkak se nuk është pajisur me shkresat e lëndës.
“Adresa e zyrës sime është në faqen e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe çdo vulë timen dhe dorëzimi i shkresave mund të kryhet në mënyrë të rregullt duke u dorëzuar me postë. Ekziston dorëzimi me email sepse të gjitha shkresat janë me shkrim. Ashtu si pranoj vendimet e lëndës, mund t’i pranoj edhe shkresat e lëndës”, tha ai.
E prokurori special Ilir Morina tha se Prokuroria ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të kontaktojnë me avokatin për t’ia dorëzuar shkresat e lëndës.
“Nga Zyra e Prokurores Florije Shamolli jam njoftuar për shkak se ajo është prokurore e lëndës se kanë bërë përpjekje të vazhdueshme që të kontaktojnë me avokatin dhe t’ia dorëzojnë shkresat e lëndës. Si komunikimi përmes emailit dhe telefonit ka qenë i pa suksesshëm”.
Gjyqtari i rastit Kushtrim Shyti, mori aktvendim që seanca të shtyhet dhe ajo u caktua për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 1998 - 1999, në Komunën e Zveçanit, i pandehuri Milojko Gjorgjeviq në bashkëkryerje me pjesëtarët të tjerë të forcave policore serbe dhe nën përgjegjësinë individuale dhe atë komanduese, në cilësinë e Komandantit të Repartit Policor (përbërja rezerve) në Komunën e Zveçanit, ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile.
Po ashtu, më 29 prill 1999, i pandehuri me pjesëtarë të tjerë të paindentifikuar, të organizuar në formacione të strukturuara, të uniformuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, kishte ndërmarrë operacion për rrethimin e fshatit në Komunën e Zveçanit.
Gjatë operacionit, u vranë tre banorë civilë, ndërsa shtatë persona të tjerë u rrëmbyen, trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, ndërsa trupi i viktimës së shtatë ende nuk është gjetur, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale.