Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Supremja lë në fuqi paraburgimin për Pantiqin e Zariqin: Ekziston rreziku i arratisjes

Krime lufte - Momir Pantiq

Foto: Arkiv

Gjykata Supreme i ka refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin ku Momir Pantiq dhe Zharko Zariq akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile.

Mbrojtja e të akuzuarave ka paraqitur kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitura kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Gjykatës së Apelit të Kosovës për vazhdimin e paraburgimit ndaj tyre.

“Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, ka vlerësuar se kërkesat janë të pabazuara, pasi rezulton ekzistimi i dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, me ç’rast janë përmbushur kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Tutje thuhet se Gjykata Supreme vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurve në rast të mbrojtjes në liri, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, sanksionin e mundshëm dhe faktin se të pandehurit janë shtetas të Republikës së Serbisë dhe posedojnë dokumente udhëtimi, çka mundëson lëvizjen e tyre jashtë vendit.

“Në këto rrethana, masa e paraburgimit konsiderohet e nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre dhe zhvillimin e rregullt të procedurës penale. Gjykata Supreme gjithashtu ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë dhënë arsye të mjaftueshme dhe nuk kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ndërsa masat alternative janë vlerësuar si të pamjaftueshme në rrethanat konkrete”, thuhet në njoftim.

Pantiq dhe Zariq, akuzohen për vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Istogut.

Edhe Supremja lë në fuqi paraburgimin për Ratko Kragoviqin, i akuzuar për krime lufte Arbëri 2 muaj më parë Supremja lë në fuqi paraburgimin për Ratko Kragoviqin, i akuzuar për krime lufte

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se Zariq me pjesëtarë të forcave serbe kanë keqtrajtuar civilë shqiptarë.

Pantiq e Zariq nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorisë. 

Të pandehurit akuzohen se kanë marrë pjesë në dëbimin e popullatën civile shqiptare nga shtëpitë e tyre në Komunën e Istogut, po ashtu, kanë marrë pjesë në plaçkitje, djegie të rreth 5 mijë shtëpive, shkatërrimin e pronave si dhe në vrasjen e 260 personave, prej të cilëve 19 janë fëmijë.