Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjykata Supreme i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin që lidhet me një grup të dyshuar për krim të organizuar, trafikim të narkotikëve dhe shpëlarje parash dhe ka lënë në fuqi vendimet për vazhdimin e paraburgimit ndaj 20 të pandehurve.
Të dyshuarit që gjenden në paraburgim për këtë rast janë R.N., R.B., A.I., A.Gj., E.I., Sh.B., A.V., B.Sh., R.V., R.B., A.R., E.B., A.M., K.D., O. V., L.T., K.B., K.A., Y.M. dhe S.L. dhe dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Shpëlarja e parave”.
Gjykata Supreme ka nxjerr këtë vendim pasi mbrojtësi i të pandehurit Sh.B., ishte ankuar ndaj vendimeve për paraburgim të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit.
Në arsyetimin e saj, Supremja theksoi se pretendimet e paraqitura në kërkesë janë të pabazuara, pasi siç thuhet, nga provat e administruara në shkresat e lëndës rezulton dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë.
Gjykata shtoi se vërtetimi i plotë i këtyre fakteve do të jetë objekt i shqyrtimit gjatë fazave të mëtejshme të procedurës penale.
“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, duke marrë parasysh provat dhe informacionet e siguruara gjatë hetimeve, përfshirë komunikimet e siguruara përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, transkriptet e komunikimeve, lëvizjet dhe kontaktet ndërmjet të pandehurve dhe personave të tjerë të përfshirë në hetim. Sipas dyshimeve, të pandehurit kanë vepruar si grup kriminal i organizuar në trafikimin e lëndëve narkotike”, thuhet në njoftim.
Gjykata po ashtu vlerësoi se ekziston rreziku i ikjes, duke pasur parasysh peshën e veprave penale dhe sanksionet e parapara, si dhe faktin se një pjesë e të pandehurve dyshohet se kanë përdorur identitete të rreme apo kanë ndërruar identitet për t’iu shmangur identifikimit dhe arrestimit eventual në shtete të tjera.
Po ashtu, Gjykata Supreme konstatoi se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, për shkak të rrezikut se të pandehurit, nëse gjenden në liri, mund të ndikojnë në bashkëpandehurit, të koordinojnë deklaratat ose të pengojnë sigurimin dhe administrimin e provave, duke cenuar rrjedhën normale të procedurës penale.
Gjithashtu, Gjykata Supreme vlerësoi se vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm, duke marrë parasysh mënyrën e organizimit dhe strukturimit të grupit, rolet e ndara të të pandehurve, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprave penale.
“Në këtë drejtim, u morën parasysh edhe karakteristikat personale dhe e kaluara kriminale e disa prej të pandehurve, përfshirë dënime të mëparshme brenda dhe jashtë Kosovës, edhe për vepra që ndërlidhen me narkotikë”, thuhet në njoftim.
Nga të gjitha arsyet e cekura, Gjykata Supreme vlerësoi se nuk ekzistojnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi thuhet se, gjykatat e instancave më të ulëta kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe të bazuar ligjërisht për vazhdimin e paraburgimit.