Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgim ndaj pesë të arrestuarve në operacionin “White Star”, i zhvilluar të martën në disa lokacione. Sipas kërkesës së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KOHA, drogat pasi mbërrinin në Kosovë nga Amerika e Jugut, Irani, Afganistani e vende të tjera, përpunoheshin e më pas niseshin për shtete perëndimore për shitje
Nga një muaj paraburgim ka kërkuar Prokuroria Speciale për personat me inicialet R.R., B.D., B.I., D.SH. dhe I.B., të dyshuar për trafikim të drogës.
Të dyshuarit, janë arrestuar të martën në operacionin “White Star” i mbështetur nga EUROPOL-i, nën dyshimin për përfshirje në tri vepra penale.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KOHA, nga fillimi i vitit 2019 e deri më tash, të dyshuarit në mënyrë aktivë kanë qenë pjesë e një grupi kriminal të organizuar që merret me trafikimin e lëndëve narkotike. Në dokument theksohet se kokaina është siguruar nga shtetet e Amerikës së Jugut, heroina nga shteti i Iranit, Afganistanit dhe Turqisë, marihuana nga shteti i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Spanjës e të tjera.
“Aktivitetin e tyre kriminal e realizojnë duke e fshehur narkotikun nëpër kontejnerë të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme përmes anijeve transportuese dhe pastaj e sjellin përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë për në Kosovë”, thuhet në dokument.
Në të është përshkruar se si lëndët narkotike edhe janë përpunuar në Kosovë.
Edhe
Pesë të arrestuar për trafikim të drogës, aksioni mbështetet nga Europol-i
“Pjesëtarët e këtij grupi kriminal e bëjnë përzierjen e narkotikut me sodë bikarbonat dhe përzierës tjerë, me qëllim të shtimit të peshës, më pas të njëjtën e paketojnë me anë të një makine me presion dhe narkotikun e vendosin nëpër produkte të ndryshme”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Në dokument thuhet se pas përgatitjes për treg, narkotikët shpërndaheshin deri në Perëndim.
Sipas prokurorisë, marihuana është trafikuar duke u paketuar në qese vakumi dhe duke u kamufluar nëpër mallra të ndryshme apo bunker të improvizuar nëpër automjete.
Po ashtu, Prokuroria pretendon se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale “Shpëlarja e parave”. Bazuar në dosje, ky aktivitet është kryer nga data dhe viti i pacaktuar deri në vitin 2026 dhe, përpos Kosovës, edhe në shtete të tjera. veprimi, sipas prokurorisë, është kryer me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është e fituar përmes aktivitetit kriminal.
“Një pjesë e tyre i transferojnë nëpër biznese të ndryshme, biznese këto të themeluara nga vetë të pandehurit dhe persona të tjerë, po ashtu një pjesë të pasurisë e konvertojnë në prova të luajtshme dhe të paluajtshme – tokë, shtëpi, vetura, banesa etj., krejt kjo me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe burimit të vërtetë të kësaj pasurie”, thuhet në dosje.
Edhe
Operacioni ndaj trafikimit ndërkombëtar të drogës përfundon me pesë të arrestuar
Të pandehurit, janë arrestuar të martën në një aksion të Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, në mbështetje të EUROPOL-it.
Gjatë aksionit, janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova materiale si armë, lëndë narkotike dhe para.
Për aksionin, me komunikatë ka dalë edhe EUROPOL-i, të martën. Sipas njoftimit, mesazhet e shkëmbyera në platformën e komunikimit të koduar “Sky Ecc”, kanë ekspozuar një rrjet të krimit të organizuar me bazë në Kosovë, në trafikimin e drogës në shkallë të gjerë, përdorimin e dokumenteve të identitetit të rreme, posedimin e paligjshëm të armëve dhe pastrimin e parave në të gjithë Evropën.