Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Pesë të arrestuar për trafikim të drogës, aksioni mbështetet nga Europol-i

Policia

Aksioni i Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në mbështetje të Europol-it, ka përfunduar me pesë të arrestuar. Të dyshuarit, sipas Prokurorisë dyshohen për trafikim të drogës. Aksioni është realizuar të martën në disa lokacione të Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Vitisë dhe Drenasit

Pesë persona janë arrestuar dhe dërguar në ndalim për 48 orë të martën. 

Ata janë ndaluar gjatë operacionit të Policisë dhe Prokurorisë Speciale kundër grupit të dyshuar për trafikim të drogës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Operacioni i quajtur “White Star” është zhvilluar në disa lokacione në Prishtinë, Pejë, Viti dhe Drenas. 
R.R., B.D., B.I., D.SH., dhe I.B., dyshohen për përfshirje në veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve si dhe pastrimi i parave”.

Operacioni, sipas Prokurorisë Speciale është mbështetur nga Europol-i.

“Operacioni policor është realizuar nga Policia e Kosovës dhe ka përfshirë disa lokacione si në; Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, nën monitorimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Sipas njoftimit, janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova materiale si armë, lëndë  narkotike dhe para. 

“Gjatë realizimit të urdhër kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar prova relevante dhe pasuri të specifikuara duke përfshirë: 6 armë; 5 karikatorë; lëndë narkotike e llojit kokainë 9.67 gramë; fara mbjellëse të llojit marihuanë 35,18 gramë; 239 fishekë; 25 telefona; 7.595 para të gatshme/euro; 10 automjete dhe 1 motoçikletë; 10 kompjuterë; 13 USB dhe 1 DVR; si dhe 16 ora dore”, thuhet në njoftim.

Për aksionin, me njoftim ka dalë edhe Europoli të martën.

Në njoftim thuhet se mesazhet e shkëmbyera në platformën e komunikimit të koduar “Sky Ecc” kanë ekspozuar një rrjet të krimit të organizuar me bazë në Kosovë në trafikimin e drogës në shkallë të gjerë, përdorimin e dokumenteve të identitetit të rreme, posedimin e paligjshëm të armëve dhe pastrimin e parave në të gjithë Evropën.

Inteligjenca e mbledhur gjatë tri vjetëve hetimi ka çuar në aksionin e 9 qershorit në Kosovë.
Që nga nisja e hetimit, sipas Europolit, janë hetuar 42 të dyshuar, janë kontrolluar 76 lokacione dhe janë sekuestruar asete kriminale në vlerë 80 milionë euro.

E disa nga të arrestuarit në këtë operacion policorë kanë qenë të dënuar edhe më herët për trafikim të lëndëve narkotike. 

Në shkurt të këtij viti, të dyshuarin D.SH., Gjykata Themelore në Pejë e pati shpallur fajtor për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, duke e dënuar me 700 euro gjobë.

Sipas këtij vendimi, të dyshuarit D.SH., më 25 dhjetor 2023, i është zënë e sekuestruar substancë narkotike të llojit kokainë.

Për të njëjtën vepër penale, Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin e kaluar e pati shpallur fajtor edhe të dyshuarin I.B. 

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, atij i janë sekuestruar rreth 6 gramë lëndë narkotike të llojit marihuanë, për çka ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj.