Në këtë rast të dyshuar janë Momir Pantiq dhe Zharko Zariq. Ata akuzohen për vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik. Dëshmitari Gazmend Metaj ka thënë para trupit gjykues se atij iu thyen edhe brinjët nga të rrahurat
Pasojat nga lufta Gazmend Metaj nga Istogu i bart edhe sot. Me to ai është përballur edhe në seancën gjyqësore, ku është ftuar të dëshmojë për krimet që Serbia i ka kryer në fshatin Lubozhdë.
Kur kryetarja e trupit gjykues në Themeloren e Prishtinës, Donikë Shala-Abdyli, i ka kërkuar që të lexojë tekstin e betimit, ai nuk mundi.
“Nuk shoh mirë, nuk shoh mirë”, ka thënë Metaj.
Në seancën gjyqësore ndaj Momir Pantiqit dhe Zharko Zariqit, që akuzohen për krime të luftës në Istog, Metaj ka dëshmuar se përveç humbjes së shikimit, ka edhe probleme të tjera shëndetësore që i janë shkaktuar nga rrahjet prej pjesëtarëve të policisë serbe gjatë periudhës së luftës.
“Kom pasur brinjë të thyera, kam pasur probleme me gishtin, gishtin e kam pasur të shkyer”, ka thënë dëshmitari Metaj.
Metaj ka folur edhe për një rast specifik që inkriminon njërin prej të akuzuarve. Ka thënë se ai dhe persona të tjerë janë torturuar gjatë kthimit nga mali, ku kishin shkuar për të marrë dru. Ai është shprehur se është rrahur nga i akuzuari Zharko Zariq.
“Kah jemi shku përpjetë, nuk ka qenë kërkush, kah jemi ardhë poshtë në Dragiq te ajo brana, unë kam qenë në traktor edhe ma ka ngjitë Zharko. Traktori ka qenë tu ecë, më kanë gjuajtë, më kanë rreh bam bam, e kanë nal traktorin edhe më kanë rreh mirë”, ka deklaruar Metaj.
E përveç me tortura fizike, ai ka thënë se është përballur edhe me maltretime të tjera.
“Na e kanë hekë instalimin prej makine, gazin e traktorit prej makine, na kanë nalë edhe na kanë thanë ku e keni UÇK-në dhe ne ju kemi thonë nuk jemi për UÇK-në, na jemi qytetarë. I kanë rreh edhe ata, na kanë shti me shty traktorin dhe kemi vazhdu”, ka theksuar ai.
Gjatë dëshmisë në gjykatë Metaj ka thënë se të akuzuarin Zariq e ka identifikuar menjëherë, meqë para luftës e ka pasur fqinj.
“Zharko nuk ka pasë maskë, Zharkon e kom njoftë edhe përpara. E kam njoftë se ka punu në stacionin policor. Unë i kam dajtë atje dhe gjithë e kam parë. Kojshi e kam pasë”, ka deklaruar Metaj.
Në këtë rast të krimeve të luftës të kryera në Istog, ish-kryeshefi i policisë për këtë komunë, Momir Pantiq, si dhe Zharko Zariq, akuzohen për vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik.
Prokuroria Speciale në aktakuzë e bën përgjegjës Pantiqin për veprimet e policisë në Istog, përfshirë masakrat e Dubravës dhe të Saradranit.
Të dy të akuzuarit i kanë mohuar akuzat në shqyrtim fillestar.