Arbëri

Kërkohet përjashtimi i trupit gjykues në rastin ku Arsiq akuzohet për krime lufte

Dushko Arsiq

Mbrojtësi i të akuzuarit Dushko Arsiq, avokati Nebojsha Vllajiq, në seancën e rigjykimit të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, konkretisht kryetarit Vesel Ismaili dhe anëtares Violeta Namani-Hajra, në rastin ku Arsiq akuzohet për krime lufte në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës.

“Gjykata Apelit i ka aprovuar të gjitha ankesat e mia dhe dëshiroj që ky gjykim të mbahet pranë një trupi gjykues tjetër. E vetmja mënyrë që kam për këtë, është që të parashtroj kërkesë për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues dhe gjyqtares Violeta Namani”, tha avokati.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili, njoftoi palët për përbërjen e trupit gjykues, ku si anëtarë të tij janë gjyqtarja Violeta Namani-Hajra dhe gjyqtari Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit Vllajiq, gjykata e shkallës së parë ka bërë shumë gabime në procedurën paraprake.

“Aq gabime në procedurën paraprake flasin për atë gjë që gjykata nuk ka sjellë drejtësi, edhe pse këtë gjë e kemi pritur. Gjykata në mënyrë jokritike e ka përshkruar dispozitivin e çështjes. Arsiqi është gjykuar për dëbimin dhe shpërnguljen e banorëve të Prishtinës në rrethinë dhe asnjë dëshmitar këtë nuk e ka dëshmuar. Është akuzuar për plaçkitje, që ka djegur shtëpi, gjithashtu e ka marrë pjesë në maltretimin e civilëve, ndërsa disa prej tyre edhe i ka vrarë edhe plagosur. Unë kam bërë një pyetje dhe Gjykata e Apelit ka bërë pyetje: kush janë ata njerëz? Askush nuk i ka përmendur”, shtoi Vllaqi.

Për të dëmtuarin dëshmitarin A.K., avokati tha se nuk duhet të këtë cilësi në procedurë.

“Ngjarja tjetër nga aktakuza ka të bëjë me të dëmtuarin A.K., ashtu që nga fillimi kam pretenduar se ai nuk është i dëmtuar, por ka marrë një goditje nga tyta e pushkës në shpinë dhe një goditje me këmbë në prapanicë, dhe kjo nuk është krim lufte”, shtoi avokati.

Gjithashtu, Vllajiq theksoi që Arsiq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprat për të cilat akuzohet, mirëpo bashkëkryerësit nuk janë të identifikuar.

“Arsiqi është gjykuar për bashkëkryerje, dhe ka mundësi që bashkëkryerësit të mos jenë të njëjtë, por kush janë ata? Çfarë emrash kanë? Askush nuk e di këtë. Këso bashkëkryerje nuk ekzistojnë. Për çka është gjykuar Arsiqi? As gjykata në aktgjykim nuk thotë që ka gjykuar dhe e ka vrarë Shalën, prandaj Arsiqi nuk është përgjigjur për vrasje. Atëherë, nëse nuk ka vrasje, nuk ka krime lufte”, tha Vllaiq.

Në fund, gjyqtari Ismaili tha që kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues do t’i dërgohet kreytares së Gjykatës dhe e njëjta do t’i njoftojë palët.

Pasi që nuk kishte kushte, seanca u ndërpre.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 shkurt 2024 e ka dënuar me 13 vjet burg të akuzuarin Arsiq, por Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.