Këngëtarit të njohur, John Legend, i është dashur të negociojë me një producent të filmave për të rritur, në mënyrë që ta mbante emrin e tij skenik.
Këngëtari i hitit “All of Me”, fillimisht performonte me emrin e tij të vërtetë, John Roger Stephens. Por gjatë një sesioni në studio me reperin, Kanye West, dhe artistin J. Ivy, ai mori nofkën që më vonë u bë identiteti i tij profesional.
Avokati i tij i atëhershëm i tha se duhej ta regjistronte “John Legend” si markë tregtare, nëse donte ta përdorte publikisht.
Gjatë procesit të regjistrimit doli se dikush tjetër kishte një emër të ngjashëm, një producent filmash për të rritur që merrej edhe me muzikë rockabilly, i njohur si Johnny Legend.
“Mbahu mirë se do të tregoj diçka, nuk po bëj shaka, një producent filmash pornografik, që bënte muzikë rockabilly, e kishte emrin Johhny Legend”, ka treguar këngëtari në emisionin në Word+Music, ka raportuar FemaleFirst.
Kjo e vendosi këngëtarin përballë një problemi të mundshëm ligjor, sepse Johnny Legend bënte muzikë dhe emri i tij ishte shumë i afërt me “John Legend”.
“Ne duhej ta gjenim Johnny Legend, të negocionim me të dhe të bënim një marrëveshje ekskluzive: ai ishte Johnny Legend, unë isha John Legend”, ka thënë ai.
Sipas marrëveshjes, asnjëri nuk do ta padiste tjetrin dhe Johnny Legend nuk do të hynte në muzikën soul duke u shtirur si John Legend.
“Jam i lumtur të them se e kam mbajtur pjesën time të marrëveshjes. Nuk kam prodhuar asnjë film pornografik, as nuk kam bërë rockabilly duke u shtirur si Johnny Legend”, ka thënë ylli me humor.
John ka kujtuar edhe momentin kur mori nofkën që i ndryshoi jetën. Gjatë punës në albumin debutues të Kanye West, “The College Dropout”, J. Ivy u mahnit nga vokali i tij.
“J. më dëgjoi duke kënduar dhe u impresionua. Më tha: ‘Njeri, do të duhet të të quajmë legjendë’”, ka treguar ai.
Ai, ndër të tjera ka treguar se kishte një dilemë të brendshme.
“Një pjesë e imja thoshte: ‘Si do ta quash veten Legend kur ende nuk ke marrëveshje diskografike?’. Do t’i bëj njerëzit të kushtojnë vëmendje, dhe pastaj thjesht duhet të jetoj sipas tij”, ka thënë ai.