Arbëri

​Familjarët kujtojnë me krenari të rënët në Koshare, rrëfejnë përshëndetjet e fundit

Sabrie Çelaj, nëna e dëshmorit Rifat Çelaj, beteja e Koshares

Me mërzi për humbjen e më të dashurve të tyre e krenarë për flijimin e tyre janë shprehur familjarët e të rënëve në betejën e Koshares. Në 23-vjetorin e betejës ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptarë, krerë institucionesh, partish politike, familjarë e qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe për të nderuar jetën dhe veprën e të rënëve.

Sabrie Çelaj, nëna e dëshmorit Rifat Çelaj, është shprehur e zhgënjyer nga shteti.

“Djali pasi e ka dhënë jetën për liri, nuk jam duke u mërzitur hiç. Por s’po na merr kurrkush parasysh... Hiç askush nuk na respekton... Më dhimbset trupi i tij, më ka shkuar i ri, 22-vjet. E para herë që u nis për të shkuar më ka thënë ‘nanë mos u mërzit’, një fjalë të keqe s'ia di”, ka thënë ajo.

Kadë Hajzeraj, nëna e dëshmorit Shaban Hajzeraj, ka kujtuar përshëndetjen e fundit me djalin.

“17-vjet ka qenë djali edhe u dalë qashtu, ka thënë ‘dolën të gjithë, po dal edhe unë’. I thash, ti po shkon po s'dihet a kthehesh, e më tha ‘nëse jam gjallë kthehem po mos kofsha, ku shkojnë tanë po shkoj edhe unë, pa luftuar s'ka asgjë’, edhe shkoi... Kur jena kthyer s'kemi ditë a është i gjallë... Përshëndetja e fundit ka qenë që ‘po dal’ edhe s'kemi ditë ku po shkon... Këta e kanë çliruar vendin për ne, tash ne po e gëzojmë”, ka thënë Hajzeraj.

Ilmi Thaçi, vëllai i heroit Abaz Thaçi, tha se vëllai i është përgjigjur thirrjes për kushtrim të atdheut pa hezituar.

“Abaz Thaçi ka qenë në mërgim nëntë vite. Kur ka ardhur kushtrimi i atdheut, iu ka përgjigj, dhe ka ra dëshmor më 16 maj 1999, në betejën e Koshares”, ka thënë ai.

Mane Sahiti, nëna e dëshmorit Gëzim Sahiti, po ashtu kujtoi bisedën e fundit që e ka bërë me djalin, duke thënë qe ishte 25-vjeç kur e kishte parë për herën e fundit.

“Kur ka dalë prej shtëpisë, më ka thanë ‘hajde nanë ditën e mirë se po shkoj’. Ku po shkon bre bir, e më tha ‘po dal....’ dhe më ka thanë ditën e mirë. I thash ‘djali jem hajde’, më tha ‘po bre nanë kam me ardhë... po se qysh vij nuk e di’, edhe ka kalu e i kam thanë ditën e mirë. Mos rri shumë dhe më tha ‘jo bre nanë se vij, por qysh vij nuk e di’... I ka pas 25-vjet kur ka dalë prej shtëpisë... edhe ma nuk e kemi pa, veç kur na ka ardhur lajmi pas 6 muajve”, ka rrëfyer nëna e Gëzim Sahitit.

Mire Beqiraj, nëna e dëshmorët Izet Beqiraj, tregoi kërkesën e djalit të saj që u kthye nga Zvicra si 19-vjeçar për të luftuar.

“19-vjeç erdhi prej Zvicrës dhe i erdh minuta... Kur kemi shkuar ne në Shqipëri, sepse kemi ik prej këtu, ka ardhur djali dhe i kam thanë, ‘djali jem të dalim në fotografi’, ka thanë ‘s'kam fotografi me ty, njëherë për njëherë jam në rrugë timen, pastaj vini nëna, e të gjithë’. Vuajtjet janë të mëdha, kur kemi ardhur e kemi gjet rrafsh me shtëpi e të gjithë. Por që nuk më është kujtuar shtëpia, njëri djalë në burg e tjetri i vrarë, jeta kështu... Dhembja nuk largohet kurrë, por duhet me qenë dikush për vend të vet. Kam qenë në gjendje, edhe unë, edhe djemtë, të gjithë jemi në gjendje (me ra për liri) veç më ditë vendin tonë ku e kemi”, tha nëna Mire.

Beteja e Koshares e zhvilluar më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës./KP