Arbëri

Ende “drejt finalizimit” raporti i BE-së nga i cili varet heqja apo jo e masave ndaj Kosovës

Kosova flamur - EU Bashkim Evropian BE

Foto: Driton Paçarada

“Ende po finalizohet” është përgjigja që zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka dhenë edhe një herë në pyetjen për raportin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell në lidhje me masat për Kosovën.

Raporti pritet t’i dorëzohet Këshillit Evropian që më pas vendos bazuar në të, nëse masat duhet të hiqen apo jo.

“Raporti ende po finalizohet”, ka thënë Stano në konferencën për shtyp të martën.

I pyetur nëse në raport do të ketë ndikim edhe aksioni i fundit i Policisë së Kosovës për konfiskim të dinarëve në një bankë ilegale në veri, Stano ka thënë se çdo gjë që “ndikon negativisht në përpjekjet që çojnë drejt depërshkallëzimit po merret parasysh”.

“Masat ishin prezantuar si përgjigje e hapave të pakoordinuar dhe unilaterale që çonin në më shumë përshkallëzim dhe nuk ndihmonin në depërshkallëzim. U prezantuan me qëllimin që t’i motivonin autoritetet e Kosovës të punonin në depërshkallëzim dhe çdo gjë që ndodh në terren që ka të ndikim negativ në përpjekjet që çojnë në depërshkallëzim po merret parasysh dhe do të përfshihet në raport.

Në fillim të majit, Qeveria e Kosovës u shpreh se i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese. 

Atë kohë, Stano pati thënë se vendimi për heqjen e masave kërkon konsensus më të gjerë në të gjithë BE-në.

Komisioni Evropian (KE) i pati vendosur masa ndëshkuese Kosovës një vit më parë, për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e banuar kryesisht me serbë.

Masat e vendosura nga BE-ja përfshinin suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale. Është suspenduar gjithashtu edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin nëpërmjet Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-anëtarësimit).

Pas masave ndëshkuese, Kosova ka mbetur jashtë granteve që BE-ja i ka miratuar në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Në fund të prillit, disa burime diplomatike në BE kanë thënë se shumica e shteteve dërguese të bllokut janë në favor të heqjes së të gjitha masave ndaj Kosovës, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.

Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtar i BE-së.

Më 15 dhjetor të vitit 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.