Nga burimet diplomatike mësohet se Komisioni Evropian është duke përgatitur planet për të hequr një pjesë të masave, gjegjësisht 50 për qind të tyre, që në aspektin financiar do të thotë lirimin e rreth 200 milionë eurove nga fondet e suspenduara përkohësisht për Kosovën. Një vlerësim i tillë i BE-së është bërë i mundur pas transferimit të duhur të pushtetit lokal në veri të Kosovës, diçka që pritet të përshëndetet edhe me konkluzionet që do të miratohen të martën
Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të diskutojnë të martën në Bruksel për procesin e zgjerimit dhe pritet që të miratojnë edhe konkluzionet për këtë proces.
Në draftin e konkluzioneve thuhet se Këshilli përsërit konkluzionet nga e kaluara dhe përshëndet heqjen e masave të mbetura ndaj Kosovës, një formulim që është më pozitiv sesa ato të mëparshmet, mirëpo formulim që nuk sqaron deri në fund se çfarë do të ndodhë dhe kur me masat ndaj Kosovës.
Burime diplomatike sqarojnë se Këshilli i BE-së edhe më herët kishte dhënë pëlqimin e masave, mirëpo heqja e tyre duhet të bëhet nga Komisioni Evropian.
Ndërkohë nga burimet diplomatike mësohet se Komisioni Evropian është duke përgatitur planet për të hequr një pjesë të masave, gjegjësisht 50 për qind të tyre që në aspektin financiar do të thotë lirimin e rreth 200 milionë eurove nga fondet e suspenduara përkohësisht për Kosovën.
Një vlerësim i tillë i BE-së është bërë i mundur pas transferimit të duhur të pushtetit lokal në veri të Kosovës, diçka që pritet të përshëndetet edhe me konkluzionet që do të miratohen të martën.
Megjithatë jo për shkak të Kosovës, por për çështje të tjera që përfshihen në atë dokument, ka mundësi edhe që të mos miratohen ato konkluzione.
Sido që të jetë, fati i masave ndaj Kosovës tash varet më së shumti nga Komisioni Evropian, por burimet diplomatike thonë se ka disa vende që nuk duan që masat të hiqen para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, dhe që kur të nisë heqja e tyre kjo të bëhet në mënyrë graduale, ndonëse shumica e vendeve anëtare të BE-së do të preferonin heqjen e menjëhershme.
Në konkluzionet për Kosovën, por edhe në ato për Serbinë, do të shprehet keqardhja për faktin që ka ngecje në implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.
Nga Kosova do të përsëritet që pritet të nisë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia që të nisë me njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës dhe të ndërpresë kundërshtimin ndaj anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Po ashtu, BE-ja do të shprehë keqardhje për faktin se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të duhur për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për dhunën në vitin 2023, përfshirë dhunën dhe sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, mediave dhe qytetarëve.