60 punëtorë të Qendrës së Mjekësisë Familjare “Nagip Rexhepi” në komunën e Gjilanit kanë mbetur pa punë meqë qeverisja komunale e cila drejtohet nga kryetari Lutfi Haziri nuk u ka vazhduar kontratat e punës me arsyetimin se nuk kanë mjete financiare.
e Shëndetësisë në këtë komunë ka konfirmuar largimin e punëtorëve të cilët ishin angazhuar që të ofrojnë shërbime shëndetësore për qytetarët si pjesë e një projekti i cili ishte bashkëfinancuar nga komuna e Gjilanit, Ministria e Shëndetësisë si dhe nga organizata Caritas.
Nexhat Hajrullahu, drejtor komunal i shëndetësisë thotë se ata presin që edhe Ministria e Shëndetësisë të involvohet në zgjidhjen e problemit sa i përket pjesës së buxhetimit. Sipas tij do të ndryshojë edhe procedura e angazhimit të punëtorëve shëndetësor meqë kjo do të shkojë përmes procedurave të prokurimit ngase konsiderohet si blerje e shërbimeve. Thotë se komuna u ka mbetur borxh punëtorëve shëndetësor nga dy paga të cilat obligime do të shlyhen.
“Arsyeja për ndërprerjen e kontratave është mungesa e buxhetit komunal dhe e kemi pasur të vështirë të sigurojmë buxhet për tërë vitin. Për momentin është ndërprerë deri në marrëveshjen tjetër sepse me ligjin e ri ka ndryshuar edhe forma e marrëveshjes dhe duhet të bëhet shpallje dhe munden të konkurrojnë kompanitë dhe shoqatat e tjera. Deri tash ka qenë forma me marrëveshje të mirëkuptimit mirëpo tash e tutje duhet të bëhet forma tjetër e marrëveshjes dhe për momentin nuk mundemi me vazhdu me këtë formë. Mirëpo ne shpresojmë se edhe Ministria e Shëndetësisë do të kryejë pjesën e vet sepse do të ketë takim edhe me komunat e tjera të cilat kanë probleme të ngjashme”, ka thënë Hajrullahu, raporton Koha Ditore.
Thotë se ata do të hasin në probleme në ofrimin e shërbimeve për qytetarët në kategori të caktuara.
“Do të kemi probleme edhe telashe sepse këta punëtor shëndetësor kanë ofruar shërbime siç është vizitat në familje dhe shërbime tjera dhe si projekt ka qenë i mire mirëpo kemi pasur kufizime në buxhet. Po kontrata ka qenë e nënshkruar prej tre partnerëve dhe ka kapur vlerën 270 mijë euro ku pjesën më të madhe të financimit e ka pasur komuna. Këta kanë qenë punëtore me afat të caktuar dhe projekti ka vazhduar sipas mundësisë buxhetore”, ka thënë ai.
Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan me një komunikatë të dërguar medieve ka shprehur shqetësimin e tyre për mos vazhdimin e kontratave për 60 punëtorët. Ata thonë se numri i punëtorëve të larguar është pasojë e keqmenaxhimit.
“Largimi nga puna i këtyre punëtorëve dhe mbetja borxh ndaj tyre për tri paga, janë absurditeti i radhës i qeverisjes Haziri në Gjilan. Kemi parasysh deklarimet e tija publike me këtë rast se ky numër është i domosdoshëm për funksionimin normal të shëndetësisë primare. Si do të mbulohen shërbimet dhe a do rrezikohen qytetarët nga mungesa e shërbimeve shëndetësore. Ky veprimi i kryetarit të komunës na jep të kuptojmë për mungesë profesionalizmi, serioziteti dhe gatishmërie për shëndetësinë gjilanase. Prandaj, PDK-ë shpreh keqardhje dhe e kundërshton mënyrën se si janë larguar punëtorët shëndetësor nga puna te cilët kane shërbyer me vite të tëra”, thuhet në reagimin e PDK-së