Rreth 60 punëtorë shëndetësorë të Gjilanit kanë mbetur pa punë.
Përfundimi i marrëveshje trepalëshe mes Komunës së Gjilanit, organizatës Caritas Kosova dhe Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë që mjekë, teknikë dhe infermierë të mbesin pa kontrata pune, raporton KTV.
Ndonëse marrëveshja mes tri palëve ishte paraparë me mundësi vazhdimi, mungesa e parave ka bërë që komuna të marrë vendimin për shkëputje të kontratave.
Përveç se mbeti pa punë, Vlora Idrizi tre muajt e fundit nuk u pagua fare për punën e kreut në njërën nga qendrat e Mjekësisë familjare në Gjilan.
E këto shkurtime Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare i nxorën probleme me organizim të stafit në terren.
Si pasojë e vendimit të komunës për shkëputje të kontratës të rreth 60 punëtorëve, banorët e fshatit Zhegër të komunës së Gjilanit shërbimin e tyre shëndetësor nuk kanë mundur ta marrin në orët e pasdites.
Pas orës 1 të pasdites kjo qendër ka qenë tërësisht e mbyllur.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje të shkurtër me email, këtë marrëveshje e ka konsideruar si të përmbushur.
“Duke respektuar këtë Rregullore, MSh-ja ka publikuar në ueb faqen e saj gjatë këtij muaji Thirrje publike për mbështetje financiare për projektet e OJQ-ve: Ruajtja dhe përparimi i shëndetit, përmes të cilës, mund të aplikojnë të gjitha palët e interesuara nga sektori joqeveritar me projekte të ndryshme që kanë për qëllim ruajtjen dhe përparimin e shëndetit, në kuadër të së cilave mund të përfitojnë edhe profesionistët shëndetësorë”.
Sipas marrëveshjes trepalëshe, komuna ishte participuesja më e madhe në këtë projekt me rreth 186 mijë euro, e pasuar nga Ministria e Shëndetësisë me një shumë 70.000 euro dhe Caritas Kosova me 24.000 euro.