Arbëri

Iu vonuan dy paga 45 punonjësve shëndetësorë në Gjilan

Dyzet e pesë punonjës shëndetësorë në QKMF-në e Gjilanit, të angazhuar përmes një kontrate me kompaninë “Kosova Med”, nuk i kanë marrë me kohë pagat për muajt qershor e korrik, për shkak të problemeve buxhetore të komunës. Në Drejtorinë e Shëndetësisë kanë thënë se kontrata është dashur të bëhet pasi nuk u është aprovuar kërkesa për shtim të stafit

Vonesat dymujore në pagesën e pagave për 45 punonjës shëndetësorë në Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Gjilanit, të angazhuar përmes tenderit të Komunës së Gjilanit, ku fituese kishte qenë kompania “Kosova Med”, janë konfirmuar nga vetë kjo kompani.

Punonjësit nuk i kanë marrë me kohë pagat për muajt qershor dhe korrik.

Në një përgjigje për KOHËN, kompania ka deklaruar se vonesat ndodhën për shkak të problemeve buxhetore të komunës.

“Komuna për dy muaj nuk na i ka qitë paret për shkak të buxhetit që ka pasë probleme, por të mërkurën na i ka transferu paret e dy rrogat punonjësve ua kemi qitë menjëherë gjatë ditës së mërkurë”, thuhet në përgjigjen e “Kosova Med”.

KOHA ka kërkuar një sqarim zyrtar nga Komuna e Gjilanit për këto vonesa, por në vend të saj nga zyra për media është sugjeruar një reagim në rrjetet sociale i kryetarit Alban Hyseni, i cili e fajëson opozitën për mosvotimin me kohë të buxhetit.

“Ju paralajmëruam për pasojat e mëdha që do t’i kenë qytetarët tanë, e bëmë thirrje mos të përdoret kjo temë si fushatë. Ashtu siç e paralajmëruam edhe ndodhi. Krekosja e harresa e buxhetit në kohë të zgjedhjeve nacionale, në kurriz të luftës ndaj Qeverisjes së LVV-së, po i korr frytet përsëri në fushatë për garën komunale”, ka shkruar ai.

Por kandidati për kryetar të komunës nga radhët e LDK-së, Arbër Ismajli, ka thënë se LDK-ja, edhe pse e ka pasur shumicën, e ka votuar buxhetin çdo vit për të mos e bllokuar qytetin.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Hekuran Rapuca, tha se komuna ka bërë kërkesë për shtimin e stafit në mënyrë të rregullt, por për shkak të mosaprovimit, është detyruar të lidhë një kontratë dyvjeçare për mbulimin e nevojave.

“Kërkesa kemi bërë. Po e dinë që numrin e pozitave brenda rregullores e kemi specifike. Na u kanë aprovuar për 8 persona plus, për 2026, përveç këtyre që i kemi në mënyrë të rregullt. Kërkesa ka qenë për 26 në mënyrë të rregullt, është puna më e mirë, po tash nëse është pamundësia për mënyrë të rregullt, atëherë na duhet me i plotësu vendet me kontrata të tilla, po për secilën komunë ish kanë e nevojshme m’u pranua kërkesat për vendet e punës”, ka thënë Rapuca.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se kërkesat për shtim të stafit nuk janë në kompetencën e saj direkte, por kalojnë përmes Grantit Specifik, që i përcillet Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

“Sa u përket kërkesave të komunave për shtimin e stafit shëndetësor, kërkesat e bëra nga QKMF-të përkatëse reflektohen në Grantin Specifik, i cili i përcillet Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Në kuadër të këtij procesi funksionon edhe komisioni vlerësues, i cili i shqyrton të gjitha kërkesat e pasqyruara në Grantin Specifik. Më pas, ato aprovohen nga MFPT-ja dhe u shpërndahen komunave në nivel vendi”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë.

E, në një përgjigje për KOHËN, nga Ministria e Financave, kanë thënë se nëse nuk ka kërkesë formale të paraqitur në kohë, në përputhje me buxhetin dhe ligjin nuk mund të shtohen punonjës të rinj.

“Sipas legjislacionit në fuqi, çdo kërkesë për shtim të stafit duhet të bëhet në përputhje me kornizën buxhetore dhe kufizimet ligjore, dhe të paraqiten përgjatë procesit buxhetor, duke filluar nga Komisioni i Granteve Komunale. Komunat janë përgjegjëse që në planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit të sigurohen që të mund të ofrojnë shërbime adekuate shëndetësore. Departamenti i Buxhetit operon në bazë të kërkesave që i parashtrohen dhe në përputhje me ligjin dhe kufizimet buxhetore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

KOHA ka raportuar edhe më herët për mospranimin e kërkesave për shtim të stafit shëndetësor edhe në Komunën e Ferizajt, ku Ministria e Financave e kishte refuzuar kërkesën për shtimin e 100 punonjësve shëndetësorë.