Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Diskriminimi i shumicës shqiptare në Graçanicë

Pavarësisht se regjistrimi i fundit i popullsisë ka treguar që shumica e banorëve në Komunën e Graçanicës janë shqiptarë, rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit kanë nxjerrë një peizazh ndryshe. Mbi 82 për qind e votave në këtë komunë u shkuan partive serbe, ndërsa subjektet shqiptare morën vetëm një përqindje të vogël të votave. Sipas njohësve të politikave lokale, kjo komunë ka krijuar vështirësi në regjistrimin e shqiptarëve. Porse këtë e mohuan zyrtarët e Komunës

Janë ngritur dyshime se politikat e ndjekura ndër vite nga Komuna e Graçanicës kanë ndikuar të shpërfaqen mospërputhje mes numrit real dhe atij zyrtar të banorëve.

Regjistrimi i fundit i popullsisë tregoi se aty janë 18 mijë e 486 banorë rezidentë, 8 mijë e 623 prej të cilëve shqiptarë e 8 mijë e 560 serbë. 

Por realitet krejt tjetër është në listat zgjedhore. 

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, 8 mijë e 300 vota u shkuan partive serbe teksa atyre shqiptare, 1 mijë e 187. E të drejtë vote në komunën e Graçanicës patën mbi 22 mijë e 819 qytetarë. 

Neni 8 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton se lista e votuesve merret nga Regjistri Civil, e jo nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë. E, në regjistrin civil, si qytetarë të Graçanicës figurojnë 26 mijë e 700 banorë.

Edhe Gashi: Komuna e Graçanicës i diskriminon banorët shqiptarë, s’u jep leje ndërtimi Arbëri Gashi: Komuna e Graçanicës i diskriminon banorët shqiptarë, s’u jep leje ndërtimi

Bekim Salihu, hulumtues i politikave lokale në Institutin GAP, thotë se në këtë komunë ka ekzistuar prej vitesh një politikë e heshtur për ta kufizuar rritjen demografike të shqiptarëve.

“Komuna e Graçanicës një kohë e ka sabotuar, po e them kushtimisht, çështjen e lejeve të ndërtimit, veçmas kur e ka kuptuar që ndërtuesit janë shqiptarë dhe përgjithësisht ka hezituar t’i regjistrojë banorët e komunës së vet, si banorë të asaj komune por i ka njohur më shumë si banorë të përkohshëm me disa terminologji, të cilat nuk kanë qenë as të ligjshme e as të logjikshme”, ka thënë Salihu.

E zëdhënësi i Institucionit të Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku, thotë se nga 80 qytetarë shqiptarë të Komunës së Graçanicës është pranuar ankesë rreth vështirësisë për t’u pajisur me leje ndërtimore. 

“Ankesa e dytë kishte të bënte me lëshimin e lejeve ndërtimore nga Komuna e Graçanicës, duke mos iu mundësuar atyre që të mos gëzojnë ato të drejta pronësore të garantuara me ligj”, ka deklaruar Çollaku.

Sipas Salihut, frika nga ndryshimi i balancës etnike pati ndikim të drejtpërdrejtë në politikat e regjistrimit dhe të lejeve të ndërtimit në këtë komunë.

“Duket që nuk ka qenë e rastësishme, duket që nuk ka qenë e rastit ajo çfarë ka ngjarë në Graçanicë për shumë vite. Pra, ka pasur një vullnet politik ose një frikë nga ana e politikës zyrtare në atë komunë që regjistrimi i shqiptarëve do ta ndryshonte konfiguracionin etnik të komunës, e për rrjedhojë do e ndryshonte edhe konfiguracionin politik”, ka shtuar Salihu.

E në Komunën e Graçanicës mohuan se ka pengesa të këtyre natyrave. 

Edhe Masë paraburgimi serbëve të dyshuar për kërcënim të votuesve në Graçanicë Arbëri Masë paraburgimi serbëve të dyshuar për kërcënim të votuesve në Graçanicë

“Në territorin e Komunës së Graçanicës, regjistrimi i qytetarëve në regjistrin qendror kryhet në mënyrë të zakonshme dhe pa asnjë problem, për sa kohë që palët kanë dokumentacionin e rregullt”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Graçanica e mori statusin e komunës në vitin 2010, gjatë atij që njihej si procesi i decentralizimit. Ajo u formua duke i shkëputur territor Komunës së Prishtinës, Lipjanit dhe Fushë-Kosovës.